Javë që mund ta përcaktojë KAMPIONIN VJESHTOR

  • 25 November 2017 - 08:56
Javë që mund ta përcaktojë KAMPIONIN VJESHTOR

XHIROJA E 17-TË E VALA SUPERLIGËS NË FUTBOLL PO PRITET ME SHUMË KËRSHËRI

Përballje interesante dhe vendimtare 

S tinorit vjeshtor po i vjen fundi, derisa dilema se kush do të dimërojë në krye të futbollit kosovar ende është shumë e madhe. Gjithsesi, ky vikend mund të sqarojë shumëçka, por njëkohësisht edhe të komplikojë edhe më shumë situatën. Llapi është shumë afër titullit vjeshtor, por ai duhet fillimisht ta kalojë me sukses sfidën në Gjakovë. Epitetin e kampionit vjeshtorë shumë lehtë mund ta fitojë edhe Prishtina, Feronikeli e Drita, por për ta pasur një pasqyrë me reale duhet t'i presim fundin e ndeshjeve të javës së 17-të, që luhen brenda tri ditëve, të shtunën të dielën dhe të hënën. Padyshim vëmendja kryesore do të jetë në Drenas e Mitrovicë ku ndeshen Prishtina - Gjilani përkatësisht Trepça'89 - Feronikeli, sfida këto që pritet të sjellin ndeshje të jashtëzakonshme.

Feronikeli sfidon kampionin

Një nga ndeshjet kryesore të kësaj jave është ajo e ditës së diel ku skuadra kampione, Trepça'89 do ta pres Feronikelin, klub ky që në ndeshjet e fundit duket se e ka arritur formën maksimale. Një tjetër e veçantë e kësaj përballje është rikthimi i trajnerit Zekerija Ramadani në "Riza Lushta", aty ku arriti për herë të parë në histori t'ia sjellë titullin e kampionit Trepçës'89. Ramadani, këtë herë do të jetë kundërshtar i "minatorëve" dhe do të jap gjithçka për t'i frenuar ata që ta fitojnë edhe sivjet titullin kampionë. Dita e shtunë është e rezervuar për një superndeshje që luhet në Gjakovë, ku ndeshën Vëllaznimi e Llapi. Skuadra gjakovare në fushën e vetë duket shumë e fortë por problemet e shfaqura së fundmi në aspektin financiar dukshëm e kanë zbehur motivin e gjakovarëve dhe kjo u pa në ndeshjen e fundit të cilët u thyen shumë lehtë nga Feronikeli duke pësuar me rezultat 3:0. Se a do të arrijë lideri i tabelës, Llapi të shfrytëzojë këtë krizë të Vëllaznimit dhe të arrijë fitore për ta prekur pothuaj titullin vjeshtor mbetet të shihet. Padyshim lufta për tre pikë do të jetë e madhe gjatë gjithë ndeshjes.

Vështirë për Prishtinën

Skuadra bardhekaltër pas fitores që shënoi në mesjavë kur e mposhti si mysafirë Vllazninë është rikthyer në vendin e dytë në tabelë dhe këtë pozitë do të tentojë ta ruaj me fanatizëm edhe gjatë këtij vikendi. Prishtina e Mirel Josës do të ndeshet me Gjilanin e Arbnor Morinës, skuadër kjo që tashmë po cilësohet si "skuadra e barazimeve", pasi në 16 ndeshje të zhvilluara ka plot 10 barazime një humbje dhe 5 fitore. Se çfarë do të ndodhë në këtë sfidë e cila edhe e mbyll javën e 17-të pasi luhet ditën e hënë, mbetet të shihet. Punë të lehtë këtë vikend duket se ka Drita, e cila në fushën e vet e pret të fundit në tabelë Vllazninë dhe vetëm ndonjë mrekulli do të bënte që kjo skuadër t'i merrte pikë Dritës, e cila sivjet si kurrë më parë po e synon titullin e kampionit vjeshtor. Ndeshje shumë e lehtë cilësohet të jetë edhe për Lirinë, e cila para shikuesve të vetë e pret Besën e Pejës, klub ky që po kalon nëpër një situatë të tmerrshme, kjo për faktin se ekipi i parë po i bojkoton ndeshjet për shkak të mospagesës, derisa skuadra është e detyruar të luajë me juniorë. Në tri ndeshjet e fundit, Besa ka pësuar humbje të thella dhe situatë të njëjtë pritet ta ketë edhe në Prizren. Një sfidë ku pikët janë mese të nevojshme luhet ndërmjet Flamurtarit dhe Drenicës, skuadra këto që sivjet synimin e vetëm e kanë sigurimin e ekzistencës. 

(Kosova Sot)