Karabeci do të bashkohet me Tiranën në Mavrovë

  • 30 July 2015 - 18:23
Karabeci do të bashkohet me Tiranën në Mavrovë

Erando Karabeci djeg me shpejtësi etapat e rikuperimit. Mesfushori i Tiranës që pak ditë më parë u kthye nga Greqia ku zhvilloi një terapi disa ditore për rikuperimin e plotë nga dëmtimi, do të bashkohet me grupin bardheblu në Mavrovë të Maqedonisë ku ekipi po vazhdon fazën përgatitore të verës. Lajmi bëhet i ditur në faqen zyrtare të klubit kryeqytetas në “Facebook” ku theksohet se Karabeci do të bashkohet me grupin e drejtuar nga trajneri Muça ditën e Premte.

“Fillimisht mesfushori do të vijojë stërvitjen me një program individual dhe shumë shpejt do t’i bashkohet skuadrës”, thekson komunikata e klubit. Pas punës intensive të bërë në Athinë, 26-vjeçari reduktoi në maksimum mundësinë e një operacioni në muskujt e barkut. Karabeci nuk zbret në fushë që prej muajit Prill dhe sipas të gjitha parashikimeve, ai do të jetë në dispozicion të trajnerit për ndeshjen e parë të sezonit të ri, duke qetësuar drejtuesit dhe stafin e Tiranës pasi ai ka qenë një nga liderët e mesfushës bardheblu gjatë viteve të fundit.