Të tjerët mendojnë për derbi, Llapi për titull

  • 01 December 2017 - 08:30
Të tjerët mendojnë për derbi, Llapi për titull

Derisa lufta për titull të kampionit vjeshtor zhvillohet në Podujevë, ndërmjet Llapit e Trepçs'89, interesimi i shikuesve duhet pranuar që është i zhvendosur në Gjilan, atje ku luhet superderbi ndërmjet Gjilanit e Dritës. Një luftë për këtë epitet po bëhet edhe për ndeshjen Feronikeli - Prishtina, që luhet në Drenas.

Tash e një javë në opinionin futbolldashës në Kosovë sikur ka nisur një "luftë" e ashpër se cili është derbi i javës së fundit në stinorin vjeshtor në Vala Superligën e Kosovës. Në fakt ndeshjet janë të jashtëzakonshme, pasi përballen skuadrat kryesore në luftë për titull, ku takohen Feronikeli - Prishtina, Gjilani - Drita dhe Llapi - Trepça'89. Dhe, derisa tifozët e "Niklit', ata gjilanas, po bëjnë gara se cilës ndeshje duhet t'i takojë epiteti i derbit, Llapi po mendon krejt ndryshe. Tifozët e kësaj skuadre po e përgatisin festën për titullin e kampionit vjeshtor, pasi në rast fitoreje ndaj Trepçës'89 do të dimëronin në krye të renditjes dhe kështu do të hapnin një epokë të re për klubin e tyre. Gjithsesi, në këtë aspekt Llapin e ka ndihmuar edhe vendimi i FFK-së, i cili vendosi që stinori vjeshtor të mbyllet në javën e 18-të dhe jo në të 19-ën, siç ishte hapur si mundësi. Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, mezi po e pret sfidën e së dielës, në të cilën dëshiron ta konfirmojë skuadrën e tij si të parën në Kosovë.

Ndaj Trepçës'89, ndeshje vendimtare

Trajneri llapjan, Tahir Batatina, e di peshën e ndeshjes me Trepçën'89, për këtë arsye ka kërkuar një mobilizim të përgjithshëm, madje edhe nga tifozët, të cilët me një atmosferë të mirë mund t'u japin një ndihmesë të madhe lojtarëve në fushë, drejtë suksesit të kërkuar. "Jemi duke u përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje, pasi e kemi parasysh se është ndeshja vendimtare dhe përfundimtare e kampionatit vjeshtor", ka thënë Batatina për gazetën "Kosova Sot", i cili kundërshtarin e vlerëson lartë. "E kemi parasysh se përballemi me kampionin aktual të Kosovës dhe jemi shumë të vetëdijshëm se na pret një punë shumë e vështirë, por jemi në formën më të mirë si skuadër dhe jemi komponuar shumë mirë. Tashmë e kemi kapur ritmin e lojës, prandaj besoj në këta djem shumë, sepse janë duke e dhënë më të mirën nga vetja për klubin, kryesin, qytetin, për mua si trajner dhe për tifozët "Legjendat" që jonë duke u organizuar në mënyrën më të mirë të mundshme", ka thënë Batatina. "Lojtarët janë më të motivuar se kurrë, kjo pasi janë të vetëdijshëm se për ta do të shkruajë historia, sepse pas 84 viteve po arrihet një ëndërr e kamotshme e qytetit dhe qytetarëve të Llapit", ka thënë Batatina.

Interesimi në Gjilan

 Derisa lufta për titull të kampionit vjeshtor zhvillohet në Podujevë, interesimi i shikuesve duhet pranuar që është i zhvendosur në Gjilan, atje ku luhet superderbi ndërmjet Gjilanit e Dritës. Për dallim nga vitet e kaluara, sivjet ky derbi ka më shumë peshë, pasi të dyja skuadrat po luftojnë për titullin e kampionit, kështu që edhe pikët janë tejet të nevojshme. Në anën tjetër një super-sfidë luhet ndërmjet Feronikelit e Prishtinës, dy skuadra këto shumë të trofeshme. Bagazhi i Prishtinës tashmë dihet, ndërsa së fundmi edhe Feronikeli i ka pasuruar vitrinat me trofe dhe kjo ka bërë që tifozët drenicas ta cilësojnë këtë ballafaqim si ndeshje më interesante. "Ky është derbi i kualitetit e jo internetit". Kështu e ka cilësuar skuadra e "Niklit" përballjen me Prishtinën. I menjëhershëm ka qenë reagimi i gjilanasve, të cilët e kanë akuzuar si Feronikelin si Prishtinën për një numër të vogël të tifozëve dhe kjo është arsyeja që ndeshja Gjilani - Drita të vlerësohet më shumë. Se si do të kalojnë këto ndeshje mbetet të shihet, por një është e sigurt, lufta në fushë dhe interesimi i shikuesve në tribuna assesi nuk do të mungojë.

(Kosova Sot)