Kaq ishin mundësitë E PRISHTINËS!

  • 10 December 2017 - 08:31
Kaq ishin mundësitë E PRISHTINËS!

Eliminimi i Sigal Prishtinës nga garat ndërkombëtare është komentuar në mënyra të ndryshme, derisa bardhekaltrit e kishin nisur edicionin me synime të mëdha. Një nga arsyet ishte edhe largimi i Dardan Berishës, si dhe humbja në shtëpi nga Mons, duke bërë që ndaj Demir-it të mos kenë fuqi për të fituar dhe për t'u kualifikuar në rrethin tjetër, që do të ishte hera e parë pas tri viteve pjesëmarrje.

Sigal Prishtina e kishte nisur edicionin me synime të mëdha. Bardhekaltrit hoqën dorë nga Liga Ballkanike, për shkak liga më nuk ishte cilësore si më parë, derisa mori pjesë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, megjithatë u eliminua qysh në rrethin e parë. Kampionët e Kosovës për vitin e tretë radhazi morën pjesë edhe në grupet e FIBA Europe Cup, por për vitin e tretë radhazi nuk arritën që t'i kalojnë grupet, përkundër se kishin bërë shumë përforcime me lojtarë të huaj e vendorë, si dhe duke rikthyer trajnerin turk, Ahmet Kandemir. Në ndeshjen e fundit nuk u paraqitën Dardan Berisha dhe Drilon Hajrizi, kurse i larguari i radhës është Andrew Lawrence, kurse mund të ketë edhe largime të tjera, pasi në garat vendore kanë dominuar pa problem.

Duhet të ishin më të vëmendshëm

Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi u shpreh se Prishtina e nisi shumë mirë, por më pas u vetëkënaq, dhe tashmë është eliminuar nga garat ndërkombëtare. "Fillimi i Prishtinës ka qenë shumë mirë, pastaj pritshmëritë më tepër se sa që ishin mundësitë reale. Unë e pata tërheq vëmendjen, se edhe pse u bënë tri fitore radhazi në fillim, duhet të jemi shumë të kujdesshëm në ndeshjet e kthimit. Sikur u vetëkënaqën stafi i Prishtinës dhe menduan se çdo gjë ka përfunduar, duke e parë veten të kualifikuar në rrethin tjetër. Por, ndodhi e kundërta. Prishtina pësoi në shtëpi nga skuadra belge dhe turke, duke mos arritur të kualifikohet në rrethin e ardhshëm, dhe mendoj se këto ishin mundësitë e tyre", deklaroi Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Prishtina ishte në një grup shumë të vështirë me Demir, Mons dhe Khimik. Dy të parat u kualifikuan, derisa Prishtina u eliminua me tri fitore dhe tri humbje, kurse Khimik ishte në vendin e fundit me një fitore në xhiron e fundit dhe pesë humbje.

U mungoi shumë Berisha

Ndeshja ndaj Demir-it ishte fundi i ndeshjeve ndërkombëtare për Prishtinën në këtë edicion, derisa në këtë përballje u mungoi shumë Dardan Berisha, i cili ka vazhduar karrierën në Çeki, duke u dalluar menjëherë. Krasniqi thekson se mungesa e Berishës është vërejtur shumë. "Ne të gjithë i dimë cilësitë e Dardan Berishës. Ai është vërtet një lider i lindur, dhe u pa në ndeshjen e fundit se sa i mungoi Sigalit, një lojtar si ai. Mirëpo, kur e dimë se basketbolli është lojë kolektive, atëherë nuk mjafton vetëm individi. Sidoqoftë, Sigal Prishtina ka bërë më shumë përvojë në garat ndërkombëtare dhe ka pasur më shumë fitore se në edicionet e kaluara, derisa gjithashtu mori pjesë edhe në kualifikimet e Ligës së Kampionëve. Kjo është një përvojë e mirë për ata, që do t'u shërbejë shumë në të ardhmen", ka përfunduar Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Prishtinasit tani të gjitha forcat do t'i përqendrojnë në garat vendore, ku Superliga nuk është në nivelin më të mirë. Skuadrat tjera po përballen me krizë financiare dhe organizative, kurse kryeqytetasit kanë dominuar pa problem në 11 xhirot e këtij edicioni. Nëse nuk ndryshon diçka, bardhekaltrit me këtë ekip nuk pritet të kenë problem të fitojnë titullin dhe Kupën.

(Kosova Sot)