Futbollistët dhe trajnerët vazhdojnë të vuajnë

  • 12 December 2017 - 08:52
Futbollistët dhe trajnerët vazhdojnë të vuajnë

Moti i ligë që ka mbërthyer vendin tonë ka bërë që klubet tona t'i prishin disa plane të punës për të improvizuar tash e tutje punën me futbollistë në mënyrë që ata së paku ta mbajnë formën fizike dhe mos të humbin në këtë aspekt. Temperaturat e ulëta dhe reshjet e fundit i kanë bërë pothuaj të padobishme fushat e futbollit në Kosovë, gjë e cila ka detyruar lojtarët dhe trajnerët të futen nëpër "ballon fusha" për të stërvitur aty ku nuk mund as 50 për qind të punës ta kryejnë. Gjithsesi, disa janë duke shfrytëzuar edhe natyrën, por pa mundur të bëjnë një punë që kishin dashur. Kjo tregon edhe njëherë për vështirësitë e mëdha që kanë lojtarët në Kosovë dhe me sa probleme e zhvillojnë aktivitetin e tyre.

Trajnerët me plane të reja

Trajneri i Gjilanit, Arbnor Morina tashmë e ka të qartë se çfarë do të bëjë në dy javët e ardhshme, para se skuadra të shkojë në pushim më 25 dhjetor. Trajneri prishtinas e pranon se do ta kenë vështirë të realizojnë atë që mendon, por gjithsesi do të improvizojë punën në mënyrë që lojtarët ta ruajnë forcën fizike. "Ne nuk e kemi ndërprerë punën as pas përfundimit të stinorit dhe do të vazhdojmë të punojmë deri më 25 dhjetor", ka thënë fillimisht trajneri Arbnor Morina, duke folur më pas edhe për kushtet në futbollin tonë. "Te ne problem më i madh është mirëmbajtja e fushave dhe në këtë kohë nuk mund të punosh në to. Ato me bar natyral janë dëmtuar shumë, derisa këto më bar sintetik është problem, pasi janë të forta dhe kjo rrezikon shumë lëndimin e futbollistëve", ka thënë Morina për gazetën "Kosova Sot", duke njoftuar se skuadra e tij përgatitet për stinorin pranveror do t'i nisë më 5 janar.

Futbollistët e pësojnë keq

 Padyshim pjesa më e vuajtur në këtë aspekt janë futbollistët, të cilët janë të detyruar të punojnë, pavarësisht kushteve të vështira. Është shumë vështirë të motivohesh kur sheh që ke për të stërvitur në një fushë që është e përbaltur dhe natyrisht që është e pamundur ta gjesh dëshirën për punë. Sido që të jetë, ata sikur janë bërë imunë tash ndaj kësaj situate dhe vazhdojnë të stërvitin pa bërë shumë zhurmë. Futbollisti i Prishtinës e pranon se në këto kushte është shumë vështirë të stërvitësh, por ai thotë se ata nuk dorëzohen asnjëherë. "Është shumë vështirë të punosh në këto kushte. Këtë mot të ligë pothuaj asnjë fushë nuk është në gjendje ta përballojë", ka thënë Osmani, sipas të cilit dëshmia më e mirë se çfarë infrastrukture kemi ishin ndeshjet e fundit. "Ju e pat në çfarë kushte u zhvillua java e fundit e Superligës. Përveç kësaj shumica e klubeve, as zhveshtore adekuate nuk kanë. Pas ndeshjeve nuk kemi pasur as ku të pastrohemi. Pra, nëse flasin në aspektin e kushteve, them se jemi zero karshi vendeve të tjera", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" mbrojtësi bardhekaltër, Përparim Osmani.

(Kosova Sot)