Përballje titanësh

  • 12 December 2017 - 08:54
Përballje titanësh

Në Nion të Zvicrës u hodh shorti i Ligës së Kampionëve, që ka dhuruar sfida spektakolare. Kështu, menjëherë do të kemi një finale të parakohshme, mes kampionëve në fuqi, Real-it dhe PSG-së, njërës prej pretendentëve kryesore. Edhe Chelsea ishte disi i pafat, pasi do të gjejë përballë Barcelona-n e Lionel Messi-t. Juventus-i nuk e shmangu dot përballjen me një kundërshtar anglez, ndërsa shorti i rezervoi londinezët e Tottenham-it. Short mjaft i vështirë rezultoi për Basel-in e Taulant Xhakës dhe Albian Ajetin, që do të përballet me anglezët e Manchester City-t, një prej skuadrave më të forta të këtij viti.

Ndeshje mjaft të vështira

 Galaktikët e trajnerit Zinedine Zidane do të sfidojnë "sheikët" e PSGsë, me treshen Cavani-NeymarMbappe. Në stolat respektivë të dy skuadrave janë "ndërruar kombësitë": Te Real-i drejton një francez, ndërsa te PSG-ja një spanjoll. Unai Emery ka thënë fjalët e para pas shortit: "Nuk mendoj se është shorti më i keq i mundshëm. Është një mundësi e mirë, sepse tashmë e kemi një nivel për të luajtur kundër Real Madrid-it. Nëse doni të bëni diçka të rëndë- sishme në Ligën e Kampionëve, atëherë ju duhet të luani kundër Real Madrid-it. Për të mposhtur "Los Blancos", ne do të duhet të luajmë me personalitetin dhe talentin tonë, sepse loja do të jetë qendra e botës së futbollit. E përsëris, skuadra ime është e gatshme ta luajë këtë raund. Ne do të punojmë që gjërat të jenë të përsosura kur të vijë dita e ndeshjeve", theksoi Emery. Emilio Butragueno, drejtor i marrëdhënieve institucionale te Real Madridi, ofroi përshtypjet e tij për shortin që u hodh në Nyon të Zvicrës, ku të tijtë mësuan kundërshtarin në 1/8 finale të këtij kompeticioni, i cili është PSG: "Ky ballafaqim mund të jetë, mund të kishte qenë finalja e Ligës së Kampionëve për potencialin e të dyja ekipeve. Sidoqoftë, ky është shorti, fati, gjithashtu, luan rolin e vet në kësi rastesh. Ne duhet ta kalojmë me sukses raundin e radhës në Ligën e Kampionëve, por besojmë se është pak herët kjo përplasje, sepse të dy jemi kandidatë për titullin. Rritja e PSG-së? Çdo verë ka afruar lojtarë të nivelit të madh dhe sa i fortë është e ka treguar në fazën e grupeve, ku u paraqit thuajse në mënyrë të përsosur. PSG-ja ka potencial të madh në përbërje, me Neymar dhe Mbappe, që kanë fituar shumë. Do të luhen dy ndeshje finale. Për publikun do të jetë një duel emocionues", deklaroi Butragueno.

Allegri kërkon kujdes ndaj Tottenham-it

 Trajneri i Juventus-it, Massimiliano Allegri, komentoi shortin e 1/8 finale të Ligës së Kampionëve. Përmes një statusi në profilin e vet në "Twitter", trajneri bardhezi la këtë mesazh lidhur me kundërshtarin dhe sfidën e radhës në kompeticionin më madhor të klubeve në Evropë, ku "Zonja e Vjetër" ka qenë dy herë finaliste në tri edicionet e fundit: "Wembley" na pret, një nga tempujt e shenjtë të këtij sporti. "Spurs" janë të rinj dhe të talentuar, por nëse ne do të jemi Juve e vërtetë, atëherë do të kemi sukses", u shpreh Allegri. Bayern Munich do të duhet të jetë në të mirën e vet për 180 minuta, nëse do të përparojë në Ligën e Kampionëve në kurriz të Besiktas, sipas Jupp Heynckes. Bayern Munich kurrë nuk ka humbur një ndeshje konkurruese kundër një skuadre turke në garën evropiane, por trajneri veteran i bavarezëve paralajmëroi se ruajtja e atij rekordi nuk do të jetë një detyrë e lehtë. "Ata janë një ekip shumë i mirë. Ne duhet të bëjmë paraqitjet tona më të mira në të dyja ndeshjet, në mënyrë që të përparojmë më tej", ka deklaruar Heynckes. "Ne e dimë se sa të fortë janë turqit e Besiktas. E kemi ndjekur progresin e tyre, sepse ishin në të njëjtin grup me Leipzig. Patjetër që do të ketë një atmosferë të jashtëzakonshme atje, por do të jetë e tillë edhe këtu në Munih", nënvizoi trajneri gjerman.

ÇIFTET

Juventus - Tottenham

Basel - Man. City

Porto - Liverpool

Sevilla - Man. Utd Real

Madrid - PSG

Shakhtar D. - Roma

Chelsea - Barcelona

Bayern M. - Beshiktash

(Kosova Sot)