Pa trajner e pa stadium Kosova po e pret shortin për Ligën e Kombeve

  • 08 January 2018 - 08:58
Pa trajner e pa stadium Kosova po e pret shortin për Ligën e Kombeve

PRESIDENTI I FFK-SË, FADIL VOKRRI, KA PARALAJMËRUAR SE NË MARS VJEN TRAJNERI I RI

Shorti për Turneun e Ligës së Kombeve hidhet më 24 janar

Kanë mbetur më pak se tri javë deri në hedhjen e Shortit për turneun e parë të organizuar nga UEFA, Liga e Kombeve në futboll në të cilin do të marrin pjesë të gjitha shtetet e Evropës, përfshirë edhe Kosovën. Mirëpo, derisa të gjitha vendet e tjera duken "Ok", Kosova deshëm apo jo është shumë mbrapa. Pa stadium të pranuar (i Prishtinës ende ka shumë punë), pa ndeshje miqësore (nuk është zyrtarizuar ende asnjë kundërshtar) e aq më keq edhe pa trajner, përfaqë- suesja jonë e pret hedhjen e shortit më 24 janar, për turneun e Ligës së Kombeve që nis në muajin shtator. Federata e Futbollit e Kosovës, përkatësisht numri një i FFK-s,ë Fadil Vokrri, ka paralajmëruar se në mars do të përcaktohet për trajnerin e ri të Kosovës, atëherë kur edhe pritet një ndeshje miqësore. Megjithatë njohësit e futbollit nuk  shohin situatën aq të thjeshtë, pasi Kosovës i mungon stadiumi dhe nëse deri në mars ose në fillim të prillit stadiumi i Prishtinës nuk rinovohet ne rrezikojmë të turpërohemi, siç u turpëruam në eliminatoret për kampionatin Botëror "Rusia 2018".

Ende shumë punë pa u kryer

"Hedhja e shortit për turneun e Ligës se Kombeve sa vjen e ofrohet, ndërsa FFK-ja mendoj se është në gjumë të thellë", ka thënë në fillim të bisedës për gazetën "Kosova Sot" Nexhmedin Bunjaku. "Se FFK-ja është totalisht e papërgatitur, tregojnë faktet që ende nuk ka caktuar përzgjedhës që do ta udhëhiqte përfaqësuesen, së dyti nuk është zgjidhur ende çështja e stadiumit ku do t'i zhvillojë përfaqësuesja ndeshjet, së treti nuk ka aranzhuar as ndeshje miqësore, e kjo lë të kuptohet se FFK ka rënë në gjumë", ka thënë Bunjaku, i cili kërkon që sa më shpejt të intervenohet sa nuk është bërë shumë vonë. 

U turpëruam një herë, mos të turpërohemi më

Ish-futbollisti dhe gjyqtari Nexhmedin Bunjaku ka thënë se përsëritja e rezultateve të eliminatoreve për Kampionatin Botëror "Rusia 2018", ku zhgënjeu totalisht, do të ishte një "shuplak" shumë e rëndë për opinionin futbolldashës në Kosovë. Për këtë arsye këtë herë kërkohet një angazhim shumë më i madh dhe një profesionalizëm në të gjitha aspektet. "Puna joprofesionale dhe neglizhenca nga ana e FFK-së rezultuan me rezultate të turpshme në kualifikimet për Botërorin 2018 në Rusi. Si duket i njëjti avaz po vazhdon edhe tash, e për pasojë do të kemi mospjesëmarrjen e përfaqë- sueses së Kosovës në turneun e Kombeve, por edhe në garat kualifikuese për Kampionatin Evropian të vitit 2020", ka thënë Bunjaku, duke kujtuar kohën para pranimit. "Kur të gjithë bënin pyetje se kur do të pranohemi në FIFA dhe UEFA, unë shtroja pyetjen se sa jemi të përgatitur dhe pas pranimit doli ajo që vetëm një pakicë e pranonte se nuk kem qenë të përgatitur për UEFA dhe FIFA", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" ish-futbollisti gjilanas, Nexhmedin Bunjaku. "Nëse vazhdon kjo avari nga FFK, Kosovës do t'i ikin shumë turne të Ligës së Kombeve, shumë kampionate Botërore e Kampionate Evropiane dhe rezultatet kulminante do të na mbesin vetëm dëshirë. Është momenti i fundit që të vetëdijesohen krerët e FFK-së, së paku nëpërmes reformave, në të kundërtën rrezikojmë shumë. Unë mendoj se kjo garniturë udhëheqëse të largohet pas gjithë këtyre degradimeve që po ia bëjnë futbollit të shtetit të Kosovës", përfundoi Nexhmedin Bunjaku.

(Kosova Sot)