Babai i turpëruar: Giggs nuk duhet të jetë në krye të Uellsit, nuk është i përshtatshëm

  • 18 January 2018 - 19:54
Babai i turpëruar: Giggs nuk duhet të jetë në krye të Uellsit, nuk është i përshtatshëm

Danny Wilson, babai i Ryan Giggs ndihet ende i turpëruar nga i biri i tij, i cili mori drejtimin e Uellsit ditën e martë.

Legjenda e Manchester United, Ryan Giggs u emërua si zëvendësuesi i Chris Coleman në krye të pankinës së Kombëtares së Uellsit, duke nënshkruar një kontratë 4-vjeçare në atë që do të jetë eksperienca e tij e parë me kohë të plotë si trajner.

Wilson, megjithatë, në vend që të shfaqej krenar për djalin e tij më të madh, në një intervistë për The Sun thotë se ndjehet i turpëruar dhe Giggs nuk e meriton atë post.

Këto fjalë vijnë pas skandalit që kishte shkaktuar Giggs disa vite më parë, kur kishte njoftuar se për tetë vite kishte shkuar me gruan e vëllait të tij, Natasha.

“Duhej të isha babai më krenar në botë, sigurisht tepër i gëzuar për atë që ai ka arritur. Por, jam ende i turpëruar prej tij. Nuk mundem t’ia lejoj vetes të përdor emrin e tij. Thjesht i referohem atij si një ish-futbollist. Si ndihem në këtë moment? Të shkoj atje edhe ta heq nga ai post. Ai nuk është i përshtatshëm për atë detyrë. Trajner i Kombëtares së Uellsit duhet të jetë dikush që respektohet dhe vlerësohet në shoqëri”.

Këto janë fjalët e rënda që babai ka hedhur në emër të të birit, për të vijuar më tej me brengën që ka përbrenda.

“Ai vendosi veten e tij përpara dhe, mendoj se gjithçka për të cilën kujdeset është vetëm për ekspertiza televizive dhe hapjen e hoteleve luksoze në Manchester. Tani, kur e shoh atë të dalë në ndonjë televizion, e fik televizorin, ashtu siç bën e gjithë familja”, shprehet Wilson.

“Ai mbetet djali im dhe mbushem me lot kur them se familja ime nuk e respekton atë. Si më i madhi, ai duhej të ishte kujdesur për vëllanë e tij, e jo t’i ngulte thikën pas shpine. Ai mashtroi në mënyrën më të keqe të mundshme, e nuk është aq burrë sa të kërkojë edhe falje për atë çfarë bëri”.

Emërimi i Giggs u pasua edhe me disa kritika nga disa tifozë të Uellsit, të cilët kujtojnë sesi angazhimi i tij me përfaqësuesen e Uellsit u vu në pikëpyetje në ditët e para si futbollist i kombëtares. Shpesh mungonte apo lihej jashtë ekipeve kombëtare, e gjithashtu mungonte nëpër ndeshjet miqësore.

(Kosova Sot)