Çdoherë e më varfër

  • 24 January 2018 - 09:13
Çdoherë e më varfër

AFATI KALIMTAR NUK SJELL SHUMË FAT PËR FUTBOLLISTËT E KOSOVËS

Talentet nuk mungojnë, por mungon puna profesionale 

Nëse në edicionet e kaluara kemi parë shumë transfere nga kampionati i Kosovës në kampionatet e huaja, me destinacionin më të frekuentuar, Shqipërinë, këtë herë gjërat duken më të vështira. Kur ka mbetur më pak se një javë deri në mbyllje të afatit kalimtar ende asnjë futbollist të Kosovës nuk e shohim që ka kaluar në kampionatet evropiane. Në fakt, janë disa lëvizje që po bëhen, por ato shumica po kalojnë përmes provave dhe nuk është se po përfitojnë ndonjë kontratë të majme. Se cila është arsyeja pse po varfërohet tregu, analistët e futbollit shohin shumë faktorë. Gjithsesi, si primare e shohin nivelin që sipas tyre kohëve të fundit është duke shkuar në rënie, mirëpo me këtë nuk po pajtohet ish-kapiteni i Prishtinës, Driton Krasniqi, i cili për një kohë të gjatë pati fatin të luajë edhe në kampionatin e Shqipërisë. Ai mendon se niveli është i njëjtë, por janë kushtet ato që po e zbehin futbollin e Kosovës dhe kjo pastaj po ndikon edhe tek menaxherët, të cilët nuk shohin shumë përfitime. 

Financat po e bëjnë të veten

Sipas ish-mesfushorit të mirënjohur bardhekaltër, Driton Krasniqi, arsyeja pse po ndodh që çdoherë e më pak të kemi transfere nga Kosova për në kampionatet e huaja është fakti se kemi një infrastrukturë shumë të dobët, si nga ana financiare ashtu edhe ajo sportive dhe kjo po bën që kampionati të mos mund ta rritë nivelin."Nëse flasim për nivelin, them se në futbollin kosovar as nuk ka rënie të nivelit, por nuk ka as ngritje dhe kjo nuk është gjë e mirë, pasi po shohim që në Evropë futbolli çdoherë e më shumë po ka ngritje dhe ne duhet ta ndjekim këtë trend, ndryshe mund të mbesim shumë mbrapa. Pe shohim që transferet nga Kosova në destinacione të huaja janë të vogla dhe mendoj se secilën herë do të jetë edhe më vështirë, pasi infrastruktura sportive, pastaj edhe ana ekonomike në futbollin tonë është mjaft e dobët dhe unë mendoj që këto janë disa nga arsyet pse secilën herë numri i futbollistëve tanë pakohet sa i përket transfereve jashtë vendit", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" ish-kapiteni i Prishtinës, Driton Krasniqi.

T'i ndjekim vendet fqinje

Krasniqi duke e analizuar situatën në futbollin tonë ka thënë se klubet tona duhet t'i marrin shembull klubet e vendeve fqinje e assesi të mendojnë për klubet e mëdha evropiane, pasi të arrish atje për momentin është e pamundshme. Pra, sipas tij, ne duhet të veprojmë si vendet përreth nesh të cilat kanë bërë një revolucion në infrastrukturën sportive. "Derisa ne në afatin kalimtar shohim se si klubet flasin për trasnfere, në vendet fqinje është duke u bërë revolucion në rregullimin e infrastrukturës. Përveç kësaj edhe ana ekonomike tek këto vende është në rritje dhe kjo bën që edhe menaxherët edhe skatutët edhe gjithçka tjetër ta kenë vëmendjen më të madhe. Pra nëse ne vazhdojmë me këtë mënyrë të punës them se e ardhmja do të jetë edhe më e vështirë për talenetet tanë që të sigurojnë një transefer në kampionatet evropiane. Është për keqardhje kjo pasi këtu vërtet ka cilësi, por duhet punë më e madhe", ka përfunduar Driton Krasniqi, i cili pas largimit nga futbolli aktiv është duke e studiuar zejen e trajnerit, ku tashmë edhe është licencuar dhe besohet se në një të ardhme të afërt të kyçet në ndonjë skuadër kosovare.

(Kosova Sot)