Si të luhet në temperatura të ulëta?!

  • 24 January 2018 - 09:16
Si të luhet në temperatura të ulëta?!

PALESTRAT NË KOSOVË NUK I PLOTËSOJNË KUSHTET PËR GARA 

Nuk kanë kushte për të zhvilluar ndeshje dhe për t'u stërvitur 

Pavarësisht se kanë kaluar 18 vjet që nga përfundimi i luftës dhe afër dhjetë vjet nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, problemet e sportistëve mbeten të njëjta. Tashmë kur temperaturat kanë filluar të bien, shumica e palestrave në Kosovë nuk i plotësojnë kushtet për gara, derisa klubet dhe lojtarët e kanë vështirë edhe të stërvitin në kushte të tilla. Kur temperaturat janë të ulëta, atëherë lojtarët nuk mund të japin më të mirën e tyre në fushë, derisa ankesat si gjithmonë shkojnë në 'veshë të shurdhur'. Madje, shumë lojtarë rrezikojnë edhe shëndetin, duke u stërvitur në kushte të tilla, kurse temperaturat priten të bien edhe më shumë. 

Rrezikojnë shëndetin

Trajneri shumëvjeçar i volejbollit, Naser Krasniqi, është shprehur se në kushte të tilla edhe lojtarët rrezikojnë shëndetin e tyre. "Të gjitha sportet kolektive që luhen me dorë në palestra, sikur basketbolli, hendbolli e volejbolli, sot e kanë vështirë që të kryejnë aktivitetet e tyre në temperatura që nuk i përballon organizimi njerëzor. Një prej rreziqeve kur këto aktivitete zhvillohen në këto temperatura janë edhe lëndimet, të cilat pikërisht për shkak të këtij vijnë dhe bëhen më të shpeshta tek sportistët, duke e marr parasysh këtë argument, pra lëndimet që munden të jenë edhe fatale për shëndetin e këtyre sportistëve. Ne si klub i volejbollit Prishtina Volley (femrat), pasi e kemi caktuar datën e ushtrimeve, e kemi anuluar, pikërisht duke u bazuar në kushtet jo-normale që ekzistojnë në palestrat tona, e sidomos në palestrat e mëdha, sikurse '1 Tetori' në Prishtinë, ku nuk ka kushte normale për t'u stërvitur", është shprehur Naser Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Basketbolli, hendbolli dhe volejbolli, janë ndër sportet që më shumë ballafaqohen me këtë problem, derisa tashmë rregullisht marrin pjesë në gara ndërkombëtare. 

S'ka as kushte elementare

Madje, klubet nuk kanë as ku të stërvitin, derisa këtë problem e kanë edhe ato të kryeqytetit. "Klubi i volejbollit Prishtina Volley te femrat, si klub i kryeqytetit, dhe si një ndër më të organizuarat në vend, sot për të gjetur një mundësi të mirë për ushtrime, është e detyruar që stërvitjet t'i mbaj në Fushë Kosovë, në palestrën e Shkollës së Mesme "Britanika". Paramendoni edhe sot pas sa viteve të çlirimit, ne akoma vuajmë për kushte normale të stërvitjeve. Paramendoni pra, një ekip i vajzave që nuk ka palestër në Prishtinë në kushte normale dhe i duhet çdo ditë të udhëtoj në Fushë Kosovë të zhvilloj stërvitjet në kushte pak më të mira", ka theksuar trajneri i cili i kushtoi jetën sportit të volejbollit për "Kosova Sot", duke shtuar: "Nuk ka njerëz sot, as të pushtetit lokal dhe as qendror, që ndonjëherë e prekin këtë problem ndonjëherë, dhe Prishtina si kryeqytet, duhet të bëjë një zgjidhje për problemin e ngrohjes në këto dy palestra, që edhe ashtu nuk janë të mjaftueshme për të gjitha klubet e sportit në Prishtinë. Nuk mund të kërkojmë rezultate kur nuk kemi kushte elementare për aktivitete sportive, andaj duhet të presim që dikur t'i bie ndërmend për këtë problem dhe të gjej zgjidhje", ka deklaruar Naser Krasniqi për gazetën "Kosova Sot".

(Kosova Sot)