Miranda: Objektivi i Interit, zona Champions

  • 04 August 2015 - 16:19
Miranda: Objektivi i Interit, zona Champions

Joao Miranda flet për herë të parë si interist që prej transferimit të tij në Milano ku synon të nisë një cikël të ri pas eventurës madrilene me Atleticon. Mbrojtësi brazilian që ka detyrën e vështirë për të drejtuar repartin e prapavijës ku Interi vazhdon të tregojë dobësi, vendos një objektiv të qartë, zonën Champions. “Nëse arrijmë këtë objektiv atëherë mund të luftojmë për tituj”, thekson Miranda, duke shtuar se ishte Mancini ai që e bindi të transferohej në Milano. “Zgjedhja ishte e lehtë pasi më bënë një ofertë shumë të mirë që ishte e vështirë ta refuzoje”, nënvizon 30-vjeçari i lindur në Parana.
Miranda del në mbrojtje të skuadrës që është mundur në 4 miqësoret e zhvilluara, duke theksuar se fitoret nuk shërbejnë për asgjë, ndërsa disfatat do të shërbejnë për të riparuar gabimet në grupin zikaltër, transmeton SS. “Duhet të flasim shumë me njëri-tjetrin dhe të rritemi sëbashku. Duhet të jemi të bashkuar për të ndërtuar një repart solid në mbrojtje”, shton lojtari brazilian, i cili dërgon një mesazh edhe për Felipe Melon, duke theksuar se bashkimi i mundshëm me Interin do ta forconte edhe më shumë grupin e drejtuar nga Robero Mancini.