Konfirmohet sa përfiton Vushtrria nga kalimi i Rashicës në Werder

  • 19 February 2018 - 23:18
Konfirmohet sa përfiton Vushtrria nga kalimi i Rashicës në Werder

​Vushtrria do të përfitojë financiarisht nga transferimi i Milot Rashicës nga Vitesse te skuadra gjermane, Werder Bremen

Klubi gjerman, Werder Bremen para disa javësh e transferoi yllin e Kosovës nga skuadra holandeze për 7.5 milionë euro.

Një përqindje e kësaj shume do t’i takojë edhe klubit kosovar, nga i cili Rashica ishte transferuar në Holandë.

Këtë e ka konfirmuar, Shukri Asllani, ish futbollisti vushtrrias, i autorizuar nga skuadra e Vushtrrisë për t’u marrë me këtë çështje.

Asllani ka treguar se skuadra kosovare do të marrë një përqindje, pa zbuluar se sa është saktësisht shuma. Por, maksimumi që mund të fitojë klubi kosovar është rreth 300 mijë euro.

“Ne jemi shumë të kënaqur me ecurinë dhe rrjedhën e këtyre bisedimeve e posaçërisht të kënaqur me epilogun pozitiv”, ka thënë Asllani për Zëri.

“Jam shumë i kënaqur me bashkëpunimin shumë korrekt me drejtuesit e klubit, e në veçanti me kryetarin Naser Imeri”.

“Natyrisht se më bënë të lumtur fakti se nga katër palët e përfshira në këtë proces, tri palë vijmë nga Vushtrria, pra klubi, Miloti dhe unë. Kjo është shumë e mirë për futbollin vushtrrias dhe qytetin”, u shpreh ai në fund.

(Kosova Sot)