BBC: Sa mund të ndërlidhet sporti me politikën në Kosovë

  • 20 February 2018 - 15:59
BBC: Sa mund të ndërlidhet sporti me politikën në Kosovë

Sa janë të ndërlidhura sporti me politikën në Kosovë? Kjo është tema që ka zhvilluar mediumi prestigjioz BBC për dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Besa Luci nga Kosovo 2.0 thotë se Kosova ka shënuar suksese të mëdha në sport në dhjetë vjet shtet. Ajo ka deklaruar se pranimi në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe në organizatat tjera ndërkombëtare i dha hov sportit të Kosovës.

“Shumë gjenerata të reja po humbnin shpresën për sport ndërkombëtar, dhe ne donim që të bënim presion që Kosova të pranohet për gara ndërkombëtare”, ka thënë ajo.
BBC ka përmendur edhe eliminatoret e para të Kosovës në futboll, që u mbyllën pa ndonjë sukses, por që shtuan gëzimin dhe entuziazmin te kosovarët.

Hekuran Kryeziu, mesfushori i përfaqësueses, ka deklaruar se është shumë krenar që luan për Kosovën.

“Kam pasur shumë thirrje nga Kosova. Prindërit e mi janë nga ky vend. Jam krenar që luaj për Kosovën”, është shprehur ai.

Suksesi më i madh sportiv i Kosovës në dhjetë vjet shtet, mbetet triumfi në Olimpiadën në Rio, ku xhudistja Majlinda Kelmendi siguroi medaljen e parë të artë për Kosovën. Kelmendi ka thënë për BBC-në se përfaqësimi i Kosovës pati vlerën më të madhe në karrierën e saj.

“Kosova është shtet i vogël që duhet të promovohet. Mendoj se për momentin, sporti është ambasadori më i mirë për Kosovën dhe tregon se gjenerata e re e Kosovës mund të arrijë gjëra të mëdha”, është shprehur Kelmendi.

Se a mundet sporti që t’i shtojë Kosovës njohje politike nga më shumë se 80 shtete që akoma s’e kanë njohur si shtet, Agron Demi nga instituti GAP, ka thënë se ndryshimi i mendjes mund të bëhet vetëm përmes zhvillimeve politike dhe ekonomike brenda.

“Kosova po luan futboll ndërkombëtarisht, por pa luajtur asnjë ndeshje në vend për shkak të mungesës së infrastrukturës. Nuk mendoj se sporti do t’u ndryshojë mendjen që ta njohin Kosovën. Por ajo që do të ndryshojë mendjen që shtete tjera të njohin është politika dhe zhvillimi ekonomik”, ka thënë ai. 

(Kosova Sot)