Pa fitues në "Stamford Bridge"

  • 21 February 2018 - 08:43
Pa fitues në

LIONEL MESSI SHËNON PËR HERË TË PARË KUNDËR CHELSEA-T

Kualifikimi vendoset në "Camp Nou" 

Mbyllet në barazim 1:1 sfida për 1/8-n e finaleve të Ligës së Kampionëve mes Chelsea dhe Barcelona, rezultat që favorizon katalanasit për ndeshjen e kthimit, që do të luhet pas 21 ditësh në "Camp Nou". Gjithçka ndodhi në pjesën e dytë, teksa Willian, më i miri në fushën e lojës, shënoi golin e avantazhit për kampionët e Anglisë, por festa e tyre u prish nga Lionel Messi, në të vetmen goditje që argjentinasi bëri drejt portës kundërshtare, 15 minuta para fundit. Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola. Barcelona dominoi me qarkullimin e topit 70% kundër 30%, por nuk goditi asnjëherë në kuadratin e portës së mbrojtur nga Thibaut Courtois.

Nga ana tjetër, Chelsea nuk pati fat, sepse dy tentativa të brazilianit Willian nga jashtë zone u ndalën nga shtyllat e Ter Stegen. Braziliani goditi një herë shtyllën e majtë pingule dhe një herë të djathtën, me portierin gjerman që në të dyja situatat ishte krejtësisht i mposhtur. Ishte hera e parë që nga janari 2016 që Barça i mbylli 45 minutat e para në një ndeshje të Ligës së Kampionëve pa e goditur qoftë edhe një herë kuadratin e portës kundërshtare. Në fillimin e pjesës së dytë, Courtois priti goditjen e Luis Suarez dhe për sulmuesin uruguaian vazhdon "agjërimi" në Ligën e Kampionëve ku nuk ka shënuar asnjë gol në 871 minutat e luajtura. Kur u mbush një orë lojë, Willian nuk u dënua më nga fati. Këtë herë goditja nga jashtë zone e brazilianit shkoi në cepin e portës së mbrojtur nga Ter Stegen, duke kaluar në avantazh vendasit në "Stamford Bridge".

Gjithsesi, çerekore para fundit, duke përfituar nga një gabim në pasim i Christiansen, Barça gjeti golin e barazimit kur Iniesta shërbeu për Messi në qendër të zonës dhe argjentinasi, krejtësisht i vetëm shënoi golin e tij të parë kundër Chelsea-t. Deri në fund nuk kishte më gola dhe takimi përfundoi 1:1. Bayern-i bindshëm Bayern Munich është me një këmbë në çerekfinale pasi ka shkatërruar Besiktas me rezultatin 5:0 në "Allianz Arena". Ishte një sfidë e lehtë për bavarezët. Besiktas qëndroi i fortë në mbrojtje dhe u duk sikur pjesa e parë do të përfundonte pa gola, por ishte Thomas Muller ai që zhbllokoi rezultatin në minutën e 43-të. Në minutën e 15-të Vida për mysafirët ishte ndëshkuar me karton të kuq. Pas pushimit rekordmenët gjermanë ishin më të qetë dhe më në kontroll të lojës dhe me kalimin e minutave golat filluan të rridhnin kjo edhe për shkak të lodhjes si mendore ashtu edhe fizike të skuadrës Turke. Në minutën e 53-të ishte Coman ai që dyfishoi. Në minutën e 66-të, Muller shënon për 3:0. Në fund të takimit ishte edhe Lewandowski që la shenjën e tij duke kompletuar pokerin e skuadrës së tij. Më pas ai shënoi sërish për 5:0. Bayern e ka thuajse të siguruar fazën tjetër dhe do të shkojë në Turqi vetëm sa për të ruajtur rezultatin, diçka që do ta bëjnë falë eksperiencës që ka.

(Kosova Sot)