Wanda sulmon mediat: Do të përballemi në gjyq

  • 24 February 2018 - 22:15
Wanda sulmon mediat: Do të përballemi në gjyq

Bashkëshortja dhe menaxherja e Mauro Icardin, Wanda Nara ka reaguar nëpërmjet një statusi në Twitter, ku ka shfryrë gjithë dufin e saj ndaj mediave. Ajo ka akuzuar se janë thënë e sajuar shumë gjëra ditët e fundit, ndërsa ka theksuar se tani do të merren avokatët e saj me këtë çështje.

“Kohët e fundit janë thënë shumë gënjeshtra mbi mua dhe familjen time. Zakonisht nuk u përgjigjem kurrë këtyre gjërave, por më duhet ta bëj, sepse situata është bërë e rënduar. Para së gjithash jam një nënë e 5 fëmijëve, ndaj jam e përkushtuar dhe tërë kohës me ta, pastaj jam edhe bashkëshortja e Mauros.

Pas gjityhë atyre shpifjeve që janë thënë, më duhet të mbrohem, ndaj tani çdo gjë është në dorë të avokatëve të mi. Duhet të dini se për të gjitha shpifjet që janë bërë mbi mua dhe familjen time, do të paguani pasojat.

Dijeni se bëj një jetë normale, punoj dhe përkushtohem të rrit fëmijët e mi, ndaj merruni me jetën tuaj, para se të shqetësoheni për timen”, shkruante Wanda në Twitter.

Kohët e fundit mediet italiane kanë shkruar për një krisje të raportit mes modeles dhe kapitenit të Interit, ndërsa nuk kanë munguar as thashethemet e merkatos.

(Kosova Sot)