Uniforma e Hamiltonit kushton 128 milionë euro

  • 20 March 2018 - 15:59
Uniforma e Hamiltonit kushton 128 milionë euro

Lewis Hamilton do të nisë garën për titullin e pestë të Formula 1 këtë fundjavë, i “armatosur” me një motor me 1.000 kuaj fuqi dhe me marrëveshje sponsorizimi në vlerë 100 milionë funte (rreth 115 milionë euro).

Britaniku 33-vjeçar nis stinorin e tij të 12-të në sport duke e ditur se mbrojtja e titullit do të çojë atë vetëm dy tituj larg rekordit që e mban legjenda Michael Schumacher.

Hamilton vlerësohet favorit për të triumfuar, duke e marrë parasysh supremacinë në vitet e fundit që ka pasur skuderia e tij Mercedesi, shkruan “Daily Mail”, transmeton “Koha Ditore”. Skuderia e Mercedesit ka fituar çdo titull individual dhe të konstruktorëve që nga viti 2014, një periudhë e dominimit që e ka bërë Mercedesin një fuqi të madhe sa i përket joshjes së sponsorëve.

Hamilton do të rreshtohet për të startuar garën e së dielës në Australi në një veshje garuese që do të jetë e mbushur me logo të 12 sponsorëve që i japin një shtytje financiare prej 112 milionë funte (rreth 128 milionë euro).

Për të bërë një krahasim, skuadra lidere e Premier Leagues së Anglisë, Manchester City do të ketë të hyra nga sponsori i veshjeve në vlerë 95 milionë funte (rreth 110 milionë euro) nga stinori i ardhshëm, nëpërmjet marrëveshjeve me Puman, Etihadin dhe Nexenin.

Kompania shtetërore e naftës e Malajzisë, Petronas është kampion i Mercedesit sa i përket sponsorëve, duke ofruar gati gjysmën e të hyrave që ka skuderia nga sponsorët e uniformës - rreth 50 milionë funte (rreth 57 milionë euro) në vit.

Hamilton, po ashtu, ka marrëveshje të veta reklamuese me disa kompani - përfshirë Tommy Hilfiger, Puma, Bose dhe Monster Energy - duke shtuar edhe rreth 10 milionë funte (afro 11.5 milionë euro) të hyra vjetore. Britaniku do të firmosë, po ashtu, kontratë të re trevjeçare me Mercedesin në vlerë 120 milionë funte (137 milionë euro) javën e ardhshme.

Kontrata aktuale e pilotit britanik Hamilton skadon në fund të vitit dhe bisedimet për vazhdim të kontratës kanë nisur qysh para Krishtlindjes.

“Ai është një negociues i mirë, në mënyrë të ngjashme siç është pilot shumë i mirë. Ne kemi diskutuar vizionet tona për të ardhmen, se si Lewis e sheh veten në sport dhe pritjet tona”, ka thënë Wolff.


(Kosova Sot)