Kampionati po merr drejtim të paqartë

  • 22 March 2018 - 08:45
Kampionati po merr drejtim të paqartë

EDICIONI I SIVJETMË PO VAZHDON TË SJELLË SHUMË TË PAPRITURA NË FUTBOLLIN KOSOVAR

Si lufta për titull, ashtu edhe ajo për mbijetesë është shumë e komplikuar

Përfundimisht, kampionati i sivjetmë është i paparashikuar dhe me plot të papritura. Dy dështimet radhazi të Prishtinës qartësuan se në futbollin e Kosovës nuk ka dominues dhe se gjërat mund të ndryshojnë brenda ditës. Ishin njohësit e mirë të futbollit kosovar që paralajmëruan se faza e tretë do të jetë faza e së vërtetës dhe se deri në fund do të kemi shumë befasi. Në fakt, edhe ashtu ndodhi, pasi vetëm dy ndeshje të zhvilluara në fazën e tretë bën që Prishtina ta humbasë vendin e parë dhe diferencën prej katër pikëve që kishte ndaj ndjekësit të dytë ta shndërrojë në minus një pikë. Trajneri i Prishtinës e ka pranuar se qasja e skuadrës në dy ndeshjet e fundit nuk ka qenë e nivelit të parashikuar, dhe se ai ka paralajmëruar një punë të madhe në këtë pauzën njëjavore në mënyrë që t'i deshifrojë qartë të gjitha problemet dhe të mos i përsëriten më në ndeshjet e radhës. Në anën tjetër, ish-futbollisti i mirënjohur kosovar, Arsim Plepolli ka thënë se Prishtina është kandidate serioze, por me këtë formë të lojës e ka problem të arrijë objektivin. Ngjashëm mendon edhe Genc Sermaxhaj, i cili Dritën e parasheh si një skuadër që mund t'ia rrezikojë më së shumti titullin Prishtinës.

Shumë të papritura

"Deri në fund të kampionatit do të shohim shumë ndryshime, rënie e ngritje të formave të ekipeve dhe ndërrime të pozitave në renditjen tabelore. Arsyeja është afërsia e pikëve që kanë ekipet dhe niveli pothuaj i barabartë i tyre", ka thënë Sermaxhaj, sipas të cilit Prishtina dhe Drita mbesin si dy skuadrat më favorite në luftë për titull. Mirëpo, përkundër që tash për tash Drita e Prishtina, duken si dy skuadra më afër titullit, kjo nuk u siguron asgjë atyre, pasi deri në fund shumë gjëra mund të ndryshojnë. Reagimi i Feronikelit me ndërrimin në shtabin teknik, duke e sjellë në krye të ekipit strategun e mirënjohur nga Shqipëria, Sulejman Starova tregon qartë se as kjo skuadër nuk ka hequr dorë nga objektivat e veta. Në anën tjetër, edhe Llapi, që nuk e nisi aspak mirë kampionatin, nuk është larg aspiratave dhe se trajneri Tahir Batatina e ka konfirmuar se ata nuk heqin dorë nga titulli dhe këtë do ta kërkojnë derisa gjasat matematikore ekzistojnë. 

Flamurtari rrezikon shumë

Për ish- futbollistin e mirënjohur, tash analist i futbollit kosovar, Arsim Plepolli, befasitë në futboll gjithmonë janë prezente, mirëpo, tek ne sivjet pritet të jenë më të veçuara, kjo pasi niveli i skuadrave është shumë i barabartë, kështu që asnjë rezultat pothuaj nuk është i sigurt në asnjë ndeshje. "Befasia më e madhe padyshim është Llapi, një skuadër që shkëlqeu në vjeshtë, tash duket krejt ndryshe në pranverë. Edhe Prishtina nuk e nisi mirë fazën e tretë, por kjo nuk do të thotë se e ka humbur luftën për titull. Pra, gjithçka mund të ndodhë, ajo që më së shumti po me brengos mua është niveli i lojës e i cili nuk është i bukur për sy. Prishtina si skuadra më e madhe duhet të aplikojë një lojë më të shpejtë dhe me agresive përndryshe do ta ketë shumë të vështirë. Gara është e fortë, kjo pasi ekipet thuajse janë të barabarta për nga niveli dhe unë deri tash nuk po shoh asnjë skuadër favorite absolute", ka thënë Arsim Plepolli. Një luftë e ashpër dhe e paparashikuar pritet të jetë edhe në pjesën e poshtme të tabelës. Vllaznia tash për tash duket skuadër pa gjasa, por barazimi i fundit i saj me Feronikelin tregon se as kjo skuadër nuk është dorëzuar. Në anën tjetër, luftën shumë e ka komplikuar humbja e Flamurtarit në fushën e vet dhe fitorja e Besës ndaj Gjilanit. Kështu që mbetet të shihet sesi do të reagojnë këto dy skuadra në ndeshjet e radhës.

(Kosova Sot)