Reagon Qeveria e Kosovës për hendbollistet: E frikshme situata në Kragujevc

  • 23 March 2018 - 19:13
Reagon Qeveria e Kosovës për hendbollistet: E frikshme situata në Kragujevc

Qeveria e Kosovës ka reaguar nëpërmes një komunikate për shtyp për ndeshjen në mes të hendbollistëve të Kosovës të grupmoshave U20 dhe atyre të Serbisë

Sipas Qeverisë këto situata nuk i kontribuojnë qetësisë dhe marrëdhënieve më të mira në mes të dy shteteve, por i tendosin ato.

Më poshtë është komunikata e Qeverisë së Kosovës në lidhje me këtë ngjarje.

Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje të thellë për rrethanat e krijuara në Kragujevc, ku u pamundësua zhvillimi i ndeshjes hendbollistike ndërmjet ekipeve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë në kategorinë e femrave U20.

Janë të dënueshme aktet nacionaliste të cilat pamundësojnë zhvillimin e ndeshjeve të karkaterit ndërkombëtar, pikërisht në kohën kur po bëhen përpjekje për relaksimin e marrëdhënieve ndërmjet shteteve tona, si dhe për proceset e integrimeve Euro-Atlantike.

Krijimi i situatave të frikshme dhe armiqësore, kur në fushë të sportit duhej të shfaqeshin vajza të reja të cilat do të ofronin lojë dhe spektakël sportiv, është papërgjegjësi e shtetit serb dhe institucioneve të rendit dhe të sigurisë të Serbisë.

Ndryshe, sot ministria e brendshme e Serbisë vendosi që të anulon ndeshjen mes Kosovës. Kosova e ka fituar këtë ndeshje në tavolinë, ndërka përfaqësuesja e Serbisë rrezikohet edhe me dy ndeshje të humbura pas kësaj ndeshje. 


(Kosova Sot)