Kosova fiton në tavolinë ndaj Serbisë

  • 24 March 2018 - 10:31
Kosova fiton në tavolinë ndaj Serbisë

Serbia përjashtohet nga turneu 

Kosova U-20 në hendboll ka fituar në tavolinë ndaj Serbisë, për shkak se takimi i paraparë të zhvillohet në afërsi të Beogradit nuk u luajt për shkaqe sigurie, sipas vendasve. Serbia, përveçqë ka humbur në tavolinë 10:0, rrezikon të përjashtohet nga turneu kualifikues për Kampionatin Botëror 

Kosova U-20 në hendboll për femra e ka fituar me rezultat zyrtar ndeshjen ndaj Serbisë me rezultat 10:0. Ishte Qeveria e Serbisë që mori vendimin që të ndalojë zhvillimin e ndeshjes duke iu referuar "çështjeve të sigurisë". Ndeshja është dashur të luhet në Qendrën Sportive "Kovilovo" në afërsi të Beogradit. Në kohën kur vashat tona po bëheshin gati për ndeshje, u bë i ditur vendimi që ndeshja nuk zhvillohet. "Atmosfera në ekip është shumë e mirë, vajzat janë të qeta, komode dhe në disponim. Sigurimi në këtë qendër është në nivel të lartë dhe nuk ka ndonjë shqetësim për sigurinë e vajzave", thuhet në njoftimin për media të FHK-së. Kosova të shtunën e të dielën duhet t'i luajë dy ndeshjet e tjera në grup në kuadër të kualifikimeve për Botëror. Norvegjia e Sllovakia janë rivalët e Kosovës

Skuadra që nuk paraqitet në fushë, humb në tavolinë dhe përjashtohet

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Izet Gjinovci, ka deklaruar nga Beogradi, se ndeshja nuk u luajt, për shkak se Serbia nuk ka pranuar. "Federata Evropiane i ka rregullat e saj, skuadra që nuk paraqitet e humb ndeshjen me rezultat zyrtar 10:0 dhe diskualifikohet nga garat, ndërsa ne dolëm në fushë në kohën kur ishte paraparë të luhej ndeshja. Ne duhet t'i zhvillojmë ndeshjet e radhës, më 24 mars kundër Norvegjisë dhe më 25 mars me Sllovakinë", është shprehur Gjinovci, i cili ka folur edhe për sigurinë e vashave kosovare. "Brenda qendrës sportive është shumë mirë dhe janë tre rrathë të policisë. Sigurimi është shumë e mirë. Jam së bashku me kryetarin Eugen Saraçini dhe vajzat janë në disponim të mirë. Nuk kemi trysni, Federata Serbe ka qenë nikoqire e mirë. Nuk është presion i Qeverisë së Serbisë, por i disa njerëzve dhe i huliganëve serbë, të cilët kanë bërë presion qeverisë së tyre", përgjigjet Gjinovci. Ai tha se presin paraqitje të mira kundër Norvegjisë U-20 dhe Sllovakisë U-20. "Kërkojmë një paraqitje të mirë. Kemi menduar që do të luajmë ndeshjen e parë historike me Serbinë, por nuk ndodhi. Ne jemi për sport", theksoi Gjinovci. Ndërkohë, shefi i Zyrës së Kosovës në Beograd, Valdet Sadiku, ka vizituar vashat e Kosovës në Serbi. Sadiku po qëndron në hotelin ku ishte vendosur Kosova. Qëllimi i vizitës së tij është për t'i qëndruar afër ekipit dhe delegacionit.

Arsyetimi i vendasve

Serbia U20 në hendboll për femra mund të suspendohet edhe për dy ndeshjet e ardhshme në turneun që po mbahet në Serbi, për shkak të mos zhvillimit të ndeshjes ndaj Kosovës. Kosova fitoi me rezultat zyrtar, pasi Qeveria e Serbisë mori vendim që të ndalojë zhvillimin e ndeshjes duke iu referuar "çështjeve të sigurisë". Këto ndeshje janë të vlefshme për kualifikim në Botëror, dhe Kosova dy ndeshjet e radhës i luan ndaj Norvegjisë e Sllovakisë. Ministri i Punëve të brendshme dhe nënkryetari i qeverisë së Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka deklaruar se ka marrë vendimin për pezullimin e ndeshjes së hendbollit mes Serbisë dhe Kosovës për grupmoshat deri në 20 vjeç. "Kam marr vendimin që turneu kualifikues për hendboll të ekipeve juniorë ndërmjet përfaqësueses së Serbisë dhe të Kosovës të pezullohet", ka deklaruar Stevanoviq, duke shtuar: "A kemi mundur që të organizohemi që të mbahej kjo ndeshje? Gjithsesi. Cili do të ishte çmimi? Konflikti ndërmjet popullit tonë dhe policisë për gjërat në të cilat nuk besojnë dhe që janë në kundërshtim me interesat tona. Për këtë arsye nuk jemi të gatshëm që policia t'i rrah njerëzit që të mbahej ndeshja, e cila është në dështimin me qëndrimet tona", ka deklaruar ai.

Kosova ka fituar ndeshjen në tavolinë ndaj Serbisë, derisa të shtunën dhe të dielën do të ndeshet me Norvegjinë dhe Sllovakinë, në turneun kualifikues, në Serbi

Federata Evropiane e Hendbollit (EHF) ka përjashtuar Serbinë nga kualifikimet për botërorin e grupmoshave të reja. Lajmi për përjashtimin e Serbisë e ka bërë të ditur përmes një komunikate institucioni më i lartë evropian i hendbollit