Giggs: “Bale duhet ta refuzojë Man Unitedin dhe të qëndrojë në Real Madrid”

  • 24 March 2018 - 11:03
Giggs: “Bale duhet ta refuzojë Man Unitedin dhe të qëndrojë në Real Madrid”

Giggs e ka këshilluar Balen që të qëndrojë në Real Madrid.

Për shkak të lëndimeve të shpeshta, Gareth Bale, ka humbur formën e dikurshme dhe në ndeshjet e fundit ka humbur edhe besimin e Zinedine Zidane, që preferon Asension dhe Vasquezin para uellsianit.

Por, Bale tregoi paraqitje krejtësisht tjetër me Uellsin, duke shënuar het-trik në fitoren 6-0 në miqësore kundër Kinës.

Manchester United ka kohë që e kërkon 28 vjeçarin, por trajneri i Uellsit dhe legjenda e “Djajve të Kuq”, Ryan Giggs, e ka këshilluar atë që të mos largohet nga “Santiago Bernabeu” sepse jo shumë lojtarë e kanë mundësinë të veshin atë fanellë.

“Është Real Madridi – pak klube kanë fuqinë e tyre”, tha ai.

“Natyrisht nuk mund të qëndroni nëse nuk dëshironi. Çfarë ka fituar atje Bale, tri Liga të Kampionëve? Kjo është prova. Kur jeni në klube si Reali, gjithmonë do të fitoni”.

Giggs e lëvdoi Balen për paraqitjen kundër Kinës, duke e krahasuar me pesë herë fituesin e Topit të Artë dhe bashkëlojtarin te Real Madridi, Cristiano Ronaldon.

“Gareth ka cilësi të shënojë çdo gol të mundshëm, nga pozicione të ndryshme – ngjashëm me Ronaldon. Dytë kanë nisur gjithçka si anësor, ndërsa sot janë golashënues”, theksoi mes tjerash Giggs.