Challandes: Si fillim jam i kënaqur, kemi punuar shumë në mbrojtje

  • 24 March 2018 - 21:31
Challandes: Si fillim jam i kënaqur, kemi punuar shumë në mbrojtje

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, është shprehur i kënaqur me performancen skuadrës së tij në fitoren minimale ndaj Madagaskarit në një ndeshje miqësore në Francë.

Challandes, i cili e mori drejtimin e ekipit kombëtar të Kosovës në fillim të këtij muaji, tregoi se deri tani ka punuar për ta përmirësuar mbrojtën dhe se në këtë ndeshje puna e tij është shpaguar.

“Jam shumë i kënaqur për fillim. Ajo që kemi punuar gjatë javës ka qenë mbrojtja. Kam punuar shumë sepse në të kaluarën [Kosova] kanë marrë shumë gola. Prandaj puna ime është shpaguar,” ka thënë Challandes për SuperSport.

Kosova fitoi falë debutuesit tjetër në këtë ndeshje, Edon Zhegrovës, i cili shënoi golin e vetëm në ndeshje në minutën e 48-të.

Kombëtarja do ta zhvillojë edhe një ndeshje miqësore këtë muaj, atë kundër Burkina Fasos më 27 mars.

Ndërkohë, Challendes thotë të jetë i kënaqur në përgjithësi me paraqitjen e djelmoshave të tij, por jo edhe me disa momente kur ka humbur përqendrimi.

“Jam shumë i kënaqur me ekipin, të gjithë djemtë kanë luftuar dhe kanë qenë kompakt. Kjo është cka kam pritur për këtë ndeshej. Madagaskar ekip shumë i mirë prandaj të qëndrojmë të koncentruar. Jam i pakënaqur në disa momente kur kemi humbur disa topa sepse kemi humbur edhe përqendrimin, por e jona është të punojmë”, ka shtuar ai. 

(Kosova Sot)