“Salah duhet të bëjë diçka më shumë, nëse synon t’i mundë Messin e Ronaldon”

  • 26 April 2018 - 16:40
“Salah duhet të bëjë diçka më shumë, nëse synon t’i mundë Messin e Ronaldon”

Keane kërkon nga Salah që të bëjë gjithçka që është e mundur për ta fituar Ligën e Kampionëve, pasi vetëm në këtë mënyrë do të arrijë t’i mposhtë Messin e Ronaldon në garën për “Topin e Artë”

Mohamed Salah mund të ketë shënuar 43 gola në sezonin mbresëlënës me Liverpoolin, por Roy Keane thotë se ai duhet të bëjë diçka më shumë për t’iu bashkuar Lionel Messit e Cristiano Ronaldos në garën për “Topin e Artë”.

Ish mesfushori i “Djajve të Kuq”, tha për ITV Sport: “Kam parë shumë sulmues duke luajtur mirë dhe janë krahasuar me Messin dhe Ronaldon”.

“Por, mendoj se duhet që të fitoni një apo dy trofe me klubin në fund të sezonit për të shpresuar... (për Topin e Artë)”

“Shumë sulmues, shembull si Dwight Yorke, Andy Cole etj... kanë shënuar nga 25-30 gola, por ju duhet të fitoni edhe trofe”, shtoi ai.

“Liverpooli nuk e ka arrit këtë ende. Nëse ata e fitojnë Ligën e Kampionëve dhe ai shënon në finale, atëherë do të nisë të besojë se mund ta rrëmbejë atë çmim. Ai duhet të bëjë diçka më shumë dhe ajo është që ta mbajë në duar trofeun e fituar me klubin”, theksoi mes tjerash Keane. 

 

(Kosova Sot)