Grumbullohet Abazaj, Panucci do maksimumin nga “kristali” i Superligës

  • 16 May 2018 - 18:15
Grumbullohet Abazaj, Panucci do maksimumin nga “kristali” i Superligës

5 muajt e parë të vitit 2018-të kanë qenë me të vërtetë specialë për Kristal Abazaj.

Fillimisht blerja e kartonit të tij nga ana e Skënderbeut, më pas 2-golëshi ndaj korçarëve në fitoren 2-0 të Luftëtarit ndaj bardhekuqëve në Gjirokastër.

Për të ardhur grumbullimi i parë me kombëtaren shqiptare për miqësore ndaj Norvegjisë. Edhe pse nuk debutoi me kuqezinjtë në atë sfidë, Abazaj vazhdoi të spikasë me fanellën e Luftëtarit duke e udhëhequr skuadrën bluzi drejt kualifikimit në Europa League për sezonin e ardhshëm.

 Falë paraqitjeve me Luftëtarit, Skënderbeu e shiti atë tek gjigandët belgë të Anderlecht për 750 mijë euro, me Abazajn që firmosi një kontratë 3-vjeçare me skuadrën nga Brukseli.

Tashmë i kanë mbetur edhe 2 ndeshje me Luftëtarin për të vulosur kualifikimin në Europë me gjirokastritët. Për t’i bërë një mbyllje sa më spekatkolare këtij sezoni Abazaj përpara se të nisë aventurën e tij me Anderlecht do të ketë mundësinë të debutojë edhe kombëtaren shqiptare.

21-vjeçari nga Tropoja ka marë ftesë nga trajneri i kuqezinjëve Panucci për 2 miqësoret e radhës ndaj Kosovës dhe Ukrainës që do të zhvillohen në Zvicër në fund të majit dhe në fillim të qershorit dhe këtë herë debutimi i Abazajt me Shqipërinë është thuajse i sigurt. Grumbullimi i Abazajt në kombëtaren shqiptare për 2 miqësoret e radhës është konfirmuar nga klubi i Luftëtarit në faqen zyrtare.

 

(Kosova Sot)