Kapiteni i Prishtinës: Ata kanë sulmin më të mirë, ne kemi mbrojtjen e çeliktë!

  • 17 May 2018 - 19:14
Kapiteni i Prishtinës: Ata kanë sulmin më të mirë, ne kemi mbrojtjen e çeliktë!

Të dielën Prishtina e zhvillon ndeshjen më të rëndësishme të edicionit, pasi në rast fitoreje eventuale me dy gola dallim ndaj Dritës, kryeqytetit do ta fitojnë titullin e kampionit.

Kapiteni Armend Dallku është shprehur optimist se gjithçka do të shkojë në mënyrën më të mirë.

“Stërvitjet po ecin shumë mirë, duke e pasur parasysh që është ndeshja e fundit kampionale. Nuk kemi diçka specifike të përgatitur. Detajet përfundimtare priten t’i marrim në vazhdim në dy seancat e fundit. Kështu që gjithçka po ecën mirë dhe shpresoj të përgatitemi sa më mirë apo në kushtet optimale fizike”, ka thënë Dallku për faqen zyrtare të Prishtinë.

“Të them të drejtën është hera e parë edhe për mua që ndeshja e fundit vendos për titull, është diçka speciale edhe për mua, për klubin e Prishtinës dhe të gjithë sportdashësit prishtinas. Por, siç thash, ne jemi duke e përgatitur mjaft mirë këtë ndeshje dhe shpresoj që në fund të shpallemi kampionë”, ka shtuar Dallku.

Ai beson se për skuadrën e tij nuk është problem fakti që duhet fituar me dy gola dallim.

“Prishtina duhet t’i shënoj dy gola më shumë dhe të shpallët kampion (qesh). Normalisht, iu thash që s’jemi duke u përgatitur veçmas special diçka për ndeshje, por sigurisht që disa detaje do t’i marrim nga trajnerët. Është ndeshja e vitit, si për ne, po ashtu edhe për kundërshtarin”.

Shpresoj të dhurojmë spektakël dy ekipet dhe ne të shpallemi kampion. Ne kemi disavantazh prej dy golave, por kjo në futboll nuk do të thotë asnjë gjë, sepse kemi të bëjmë me lojën e futbollit dhe futbolli është i paparashikueshëm, gjithçka mund të ndodhë dhe gjithçka është në duart tona”, ka theksuar veterani Dallku.

Në fund ai ka bërë edhe një krahasim të reparteve.

“Jo rastësisht Drita ka shënuar shumë gola dhe faza ofensive është pika më e fortë e saj. Mirëpo në anën tjetër ka të bëjë me një fazë tonën defensive që edhe ne e kemi pikën më të fortë ku jo rastësisht kemi pranuar më së paku gola në kampionat”.

“Kështu që do të kemi një ballafaqim në mes sulmit tyre dhe mbrojtjes tonë, mirëpo ne nuk jemi keq as në fazën ofensive, sepse kemi lojtarë që dinë të shënojnë. E mira për këtë ndeshje është se të gjithë e dinë rëndësinë e saj dhe nuk ka nevojë të flitet shumë, sepse çdo lojtar do ta ketë motivin e qindpërqindtë”, ka thënë Dallku në fund.

 

(Kosova Sot)