Sot, të gjithë sytë kah Kievi

  • 26 May 2018 - 11:02
Sot, të gjithë sytë kah Kievi

Sezonit evropian do t’i vihet perdja në Kiev sonte në mbrëmje teksa Real Madridi dhe Liverpooli përballen në finalen e Ligës së Kampionëve për t’u kurorëzuar mbretër të kontinentit.

Kampioni në fuqi, Real Madridi, është në kërkim të titullit të tretë më radhë – dhe të 13-it në histori të klubit – derisa pesë herë fituesi i kësaj gare, Liverpooli, e gjen veten në finale për herë të parë që prej vitit 2007, të cilën e humbi në ballafaqim me Milani.

Të kuqtë triumfuan ndaj Romës në gjysmëfinale për ta rezervuar biletën drejt Ukrainës, ndërsa Los Blancos e fituan duelin e tyre kundër Bayern Munichut me rezultat të ngushtë.

Të dy skuadrat njihen për talentin e tyre sulmues, me Cristiano Ronaldon që prin në listën e golashënuesve më të mirë, derisa Liverpooli është ekipi më frytdhënës në garën e sivjetme të Championsit, pra adhuruesit e futbollit e kanë të garantuar kënaqësinë.

Skuadra e plotë e Real Madridit

Zinedine Zidane e ka një skuadër plotësisht të shëndoshë për ta zgjedhur formacionin startues për finale dhe i ka sjellë të gjithë futbollistët në Kiev.

Formacioni i mundshëm i Real Madridit: Navas; Carvajal, Ramos, Varane, Marcelo; Casemiro, Modric, Kroos; Bale, Ronaldo, Benzema.

Skuadra e plotë e Liverpoolit

 

Jurgen Klopp e publikoi skuadrën e finales të enjten dhe la të kuptonte se James Milner duhet të jetë i gatshëm për të luajtur, derisa Emre Can, i cili është pranë transferimit te Juventusi, është përfshirje e habitshme në skuadër.

Mbrojtësit Joe Gomez dhe Joel Matip mungojnë për shkak të lëndimeve afatgjate.

Formacioni i mundshëm i Liverpoolit: Karius; Alexander-Arnold, Van Dijk, Lovren, Robertson; Wijnaldum, Milner, Henderson; Salah, Mane, Firmino.

(Kosova Sot)