NBA: LeBron “jashtëtokësor”, Cleveland barazon 3-3 serinë ndaj Boston

  • 26 May 2018 - 13:14
NBA: LeBron “jashtëtokësor”, Cleveland barazon 3-3 serinë ndaj Boston

Falë një tjetër paraqitje mbresëlënëse të atij që tashmë është e vështirë të mos e konsiderosh si basketbollin më të mirë të të gjitha kohërave, Cleveland Cavaliers mban gjallë shpresat për titullin në Lindje dhe për të prekur finalen e madhe të NBA-së.

LeBron James merr për të disatën herë për dore skuadrën nga Ohio duke u shfaqur në një formë të shkëlqyer në ndeshjen e 6-të të serisë së finaleve të Lindjes ndaj Boston Celtics, duke e udhëhequr Cleveland-in drejt një fitoreje të madhe me shifrat 109-99. 

Me 46 pikë në 46 minuta lojë mbreti James ishte thjeshtë fantastik ndërsa skuadra kampione e konferencës së Lindjes do të përcaktohet tashmë në ndeshjen e 7-të që do të zhvillohet në TD Garden të Bostonit, aty ku do të duhet një tjetër provë super e LeBron që Cavaliers të kapin finalen e madhe të NBA.

Në Quicken Loans Arena, Cleveland nuk e nisi në mënyrën më të mirë sfidën  teksa pas vetëm 5 minutash lojë humbi shërbimet e Kevin Love për arsye dëmtimi, ndërsa në fund të periodës së parë tabela elektronike tregonte shifrat 25-20 në favor të Boston. 

Megjithatë mbreti i James nuk u demoralizuar duke nxjerrë më të mirën nga repertori i tij. Përveç 46 pikëve, LeBron shtoi edhe 9 asiste dhe 11 rikuperime për një paraqitje në kufijtë e perfektes.  Perioda e dytë ishte e gjitha nën shenjën e Cavaliers të cilët jo vetëm përmbysën shifrat por u shkëputën me 11 pikë epërsi në fund të pjesës së parë. Në fraksionin e dytë Cleveland administroi rezultatin duke marrë një fitore me peshë që e mban në lojë, ndërsa përveç James spikat edhe George Hill me 20 pikë. 

Përsa i përket Bostonit, ishin të pamjaftueshme 55 pikët e realizuara nga dyshja Terri Rozier-Jayson Tatum. Ndeshja e 7-të do të zhvillohet mbrëmjen e të dielës me orën amerikane që përkon me mëngjesin e të hënës në Shqipëri. Mbetet për t’u parë tashmë nëse edhe në takimin që do të përcaktohet skuadra kampione e Lindjes do të vendosë faktori “shtëpi”, siç ka ndodhur në 6 përballjet e deritanishme me skuadrën vendase që ka fituar gjithmonë.

(Kosova Sot)