Rusia liron mbi 100 huliganë një ditë para fillimit të turneut

  • 13 June 2018 - 23:53
Rusia liron mbi 100 huliganë një ditë para fillimit të turneut

Mbi 100 huliganë të rrezikshëm do të jenë në gjendje të ndjekin Botërorin pasi dënimet për sulme ndaj tifozëve kundërshtarë dhe trazirave në stadium iu kanë përfunduar sot.

Mes tyre është edhe huligani më famëkeq, Artyom Koluzayev, 22 vjeç, i cili ishte pezulluar për t’u futur në stadium pasi i kishin konfiskuar më parë pajisje eksplozive dhe piroteknike.

Nga 656 huliganë që ishin në listën e zezë ruse në maj, Koluzayev është një prej 104 vetave që tashmë do ta kenë të lejuar të jenë të pranishëm në ndeshjet e turneut që nis të enjten.

Mes ultrasve të tjerë të “liruar” janë edhe tifozë të Zenitit, Spartakut dhe Lokomotivës së Moskës, të gjithë të dënuar për sjellje të dhunshme dhe zjarrvënie të qëllimshme.

Presidenti rus, Vladimir Putin, është marrë personalisht me çështjen e huliganizmit, sidomos pas incidenteve mes tifozëve rusë dhe atyre anglezë në Marsejë gjatë Euro 2016, duke angazhuar edhe Kozakët për të ruajtur qetësinë në qytetet ku do të luhen ndeshjet e Botërorit.

Shumë prej tifozëve rusë që sulmuan anglezët janë të ndaluar të shkelin në stadiumet e Kupës së Botës, por frika më e madhe është për “ujqër të vetmuar” ose adoleshentë që shpresojnë të ngjisin shkallët e “karrierës” së tyre mes radhëve të huliganëve duke sulmuar tifozët e skuadrave kundërshtare.

Disa prej tyre kanë janë të lidhur edhe me grupe kriminale të mirëfillta dhe nuk ngurrojnë të pozojnë me armë në duar e madje t’i postojnë fotot në rrjetet sociale.

Dhjetëra mijëra tifozë pritet të mblidhen gjatë muajit të Botërorit në Rusi, mbi 10 000 anglezë, meksikanë e kolumbianë, ndërsa shumica janë paralajmëruar që të mos tërheqin vëmendje të tepruar ndaj vetes kur të jenë në rrugë.

Fatmirësisht për tifozët që duan thjesht të shohin futboll, 352 huliganë të tjerë, një pjesë e të cilëve përgjegjës për ngjarjen e vitit 2016, vazhdojnë të jenë të dënuar qoftë edhe për t’iu afruar stadiumeve.

 

(Kosova Sot)