Babaj: Anglia me një gjeneratë të re, por premtuese

  • 20 June 2018 - 08:36
Babaj: Anglia me një gjeneratë të re, por premtuese

Njohësi i mirë i futbollit, Shpëtim Babaj, për gazetën "Kosova Sot" ka analizuar ndeshjet e grupeve F dhe G dhe sipas tij Belgjika e Anglia mund të ecin shumë lart në këtë Botëror, pasi kanë grup shumë të mirë të lojtarëve

Kampionati Botëror i futbollit "Rusia 2018" tashmë ka prezantuar të gjitha skuadrat pjesëmarrëse në këtë eveniment, kështu që njohësit e futbollit kanë një pasqyrë reale se si po duken kombëtaret e forta. Belgjika e Anglia ishin emrat e fundit të ekipeve të mëdha që u prezantuan në Rusi. Të dyja skuadrat përmbushën misionin ashtu siç është pritur e fitore, edhe pse Anglia vuajti shumë përballë Tunizisë dhe vetëm sekondat e fundit i sollën fitoren. Hero edhe njëherë për anglezët doli të jetë Harry Kane, që shënoi të dyja golat. Në anën tjetër, Belgjika pa shumë telashe e ka mposhtur debutuesin në Botëror, Panamanë. Fitorja më me peshë ishte ajo e Suedisë, e cila e mundi Korenë e Jugut dhe tash shumë seriozisht ia ka rrezikuar kualifikimin Gjermanisë, e cila domosdo duhet t'i fitojë dy ndeshjet e mbetura. Ish-futbollisti i njohur kosovar, Shpëtim Babaj, ka vlerësuar ndeshjet e Grupit F dhe G, derisa ka folur edhe për kombëtaren favorite deri më tash.

Belgjika, ekip shumë i fortë

Sa i përket fitores së Suedisë ndajKoresë së Jugut, sipas Babajt, ajo ishte e pritur, pasi skuadra skandinave edhe gjatë fazës eliminatore ka treguar futboll të mirë dhe nga ajo pritet të ketë befasi të mëdha në këtë kampionat. "Suedia zhvilloi një lojë ashtu siç është në traditën e skandinavë, të fortë fizikisht, me mbrojtje të mirë. Futbollistët suedezë dhanë gjithçka për ta bërë detyrën siç duhet në fushë, derisa përmes ndërprerjeve synonin fitoren, ashtu edhe e arritën", ka thënë Babaj, duke folur më pas edhe për Belgjikën, e cila pa shumë telashe e mposhti Panamanë, me rezultat 3:0. "Belgjika ka shumë kualitet, individualë shumë të mirë ku në çdo moment mund ta fitojnë ndeshjen dhe besoj që kjo kombëtare do të shkojë shumë larg. Gjithsesi, pika më e dobët te Belgjika është faza defensive dhe kjo më bën të mendoj se Belgjika nuk është për titull të kampionit. Ka nivele të lartë në sulm, por në mbrojtje nuk janë të mirë sa duhet", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Shpëtim Babaj.

Anglia me gjeneratë të re

Anglia ka vuajtur shumë në sfidën ndaj Tunizisë, por për fat të mirë të anglezëve ishin minutat shtesë që i sollën fitoren. Anglia edhe këtë herë tregoi që ka problem, megjithatë sinjalet janë se po përmirësohet ky ekip. "Anglia e ka një gjeneratë shumë të mirë me lojtarë të rinj dhe besoj që në kampionatin tjetër edhe mund të jenë pretendent pasi do ta kenë edhe përvojën në anën e vetë", ka thënë Babaj për "Kosova Sot", duke shtuar se këtë herë trajneri anglez Gareth Southgate befasoi me disa vendime. "Nuk mund ta kuptoj sesi ka mundësi që Rashford nuk luan nga fillimi ku sipas meje është në 2-3 talentet më të mirë në Botë dhe përkundër moshës e bënë diferencën", ka thënë Babaj, për të cilin tash për tash përshtypje shumë të mirë i ka lënë Meksika në sfidën ndaj Gjermanisë, derisa sa i përket titullit ai e favorizon Spanjën. "Meksika me ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë dhe më ka lënë shumë përshtypje të mirë. Gjasat për titull sipas meje i ka Franca, Spanja e Brazili, derisa dëshira ime është që kampionatin ta fitojë Kroacia. Jam rritur në këtë vend dhe jam tifozë i flaktë i Kroacisë", ka përfunduar Shpëtim Babaj.  

(Kosova Sot)