Shtyhet për në shtator gjyqi për korrupsion ndaj kryetarit të FFK'së

  • 18 July 2018 - 13:24
Shtyhet për në shtator gjyqi për korrupsion ndaj kryetarit të FFK'së

Me kërkesë të mbrojtjes, Gjykata Themelore e Prishtinës ka anuluar seancën gjyqësore ndaj kreut të FFK’së Agim Ademi, e paraparë të mbahet të premten. Gjyqi ndaj Ademit, që akuzohet për vepra penale të ndërlidhura me korrupsion, është shtyrë të vazhdojë në shtator të këtij viti. 

Agim Ademi, ditët e para të punës si kryetar i të Federatës së Futbollit kosovar, nuk do t’i ketë duke u përballur me akuzat për korrupsion të ngritura vite më parë ndaj tij.

Ndonëse, para se të vije në krye të FFK’së, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte caktuar që më 19 korrik Ademi dhe i bashkakuzuari tjetër për zhvatje dhe detyrim të dilnin në gjyq, e njëjta gjykatë ka njoftuar se është shtyrë kjo seancë.

Anulimi i këtij shqyrtimi gjyqësorë, sipas zëdhënëses së Gjykatës së Prishtinës, është bërë me kërkesë të mbrojtjes së Ademit, katër ditë para se i akuzuari të votohej për kryetar nga kuvendi i jashtëzakonshëm i FFK’së. 

“Gjyqtarja e çështjes është duke proceduar me shqyrtimin  gjyqësorë lidhur me këtë rast dhe seanca e radhës është caktuar për dt.20.07.2018 në ora 09:00, mirëpo mbrojtësi i të akuzuarit A.A,  përmes parashtresës se dt.02.07.2018 ka kërkuar shtyrje të seancës, ku ka bashkëngjitur edhe arsyen (provën) që nuk mund të prezantoj i mbrojturi i tij në seancë”, ka thënë Mirlinda Gashi, në një përgjigje për Gazetën Express. 

Tutje, ajo ka njoftuar se data e re për mbajtjen e kësaj seancë është caktuar për në shtator të këtij viti. 

“Meqenëse nuk do të ketë kushte për mbajtjen e kësaj seance, Gjykata ka caktuar seancën e radhës për dt.13.09.2018 në ora 09:00”, ka thënë Gashi. 

Ish-nënkryetari i FFK’së Agim Ademi, më 6 korrik u zgjodh kryetari i kësaj federate. Ai ishte kandidati i vetëm në këtë garë, në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të FFK’së që u mbajt pak javë pas vdekjes së legjendës Fadil Vokrri. 

Ndaj Ademit dhe të akuzuarit tjetër Muahrrem Rama, Prokuroria e EULEX’it, në shkurt të vitit 2014 kishte ngritur aktakuzë për zhvatje, korrupsion dhe kërcënim. 

Pak kohë para aktakuzës, Ademi në të njëjtin vit ishte arrestuar për këto dyshime, dhe ishte ndaluar vetëm për 30 ditë paraburgim.

Në aktkauzë thuhet se Agim Ademi dhe Muharrem Rama “gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kanë kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit BMË X5, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje”.

Po ashtu, tutje, në pikën e dytë të aktakuzës thuhet se të pandehurit Ademi dhe Rama akuzohen edhe për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje pasi që në të njëjtën periudhë kohore të lartë cekur kanë kërkuar nga viktima Kadolli premtimin e përfitimit të pa drejtë, respektivisht shumën prej 30.000.00 euro apo veturën e tipit BMË X5, duke kërkuar ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e një personi zyrtar që në këtë rast është Kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që të ndryshoj statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.


(Kosova Sot)