Federatat keqpërdorin paranë e shtetit, ministria hesht

  • 18 July 2018 - 13:44
Federatat keqpërdorin paranë e shtetit, ministria hesht

PARREGULLSITË NË INSTITUCIONET SPORTIVE NUK KANË TË NDALUR

Auditori vazhdon të gjejë parregullsi në disa federata sportive

"Sa i përket rastit në fjalë, unë nuk mund të jap ndonjë emër se për cilat federata konkretisht bëhet fjalë në atë raport të Auditorit, kjo pasi raste të tilla ka shumë shpesh dhe nëse tash jap ndonjë emër të ndonjë federate mund të jetë i gabuar", i ka thënë gazetës "Kosova Sot" një burim i afërt me MKRS-në

Sporti kosovar vazhdon të mbetet në gjendje aspak të mirë, kjo për faktin e krizës së madhe financiare që i ka kapluar federatat sportive. Megjithatë, kjo krizë financiare duket se nuk vjen vetvetiu. Janë parregullsitë dhe keqpërdorimet që po bëhen në disa Federata, të cilat edhe po shkaktojnë krizë dhe pakënaqësi tek sportistët. Në raportin e fundit të Auditorit janë gjetur disa të dhëna, në të cilat thuhet se dyshohet se në disa Federata sportive mjetet e ndara nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit nuk janë shpenzuar për ato qëllime që janë ndarë, duke vënë në dyshime se ato mjete edhe kanë mundur të keqpërdorën. Gazeta ka provuar dje gjatë gjithë ditës të kontaktojë me Ministrinë për të marrë një opinion se për cilat federata konkretisht bëhet fjalë dhe cilët do të jenë hapat që do të merren në këtë situatë, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur pasi nuk Ministria nuk i është përgjigjur pyetjes së gazetarit të gazetës "Kosova Sot".

Rastet e keqpërdorimeve janë të bollshme Burime të gazetës, të afërta me Ministrinë e Sportit dhe të Federatave Sportive në Kosovë kanë thënë se ka raste të shumta kur keqpërdorët paraja e Ministrisë dërguar Federatave për aktivitete të ndryshme janë të mëdha, kjo edhe bën shpesh që Ministria t'u ndalojë t'i financojë disa federata për vitet e ardhshme, derisa nuk arsyetohen ato shpenzime.

"Sa i përket rastit në fjalë, unë nuk mund të jap ndonjë emër se për cilat federata konkretisht bëhet fjalë në atë raport të Auditorit, kjo pasi raste të tilla ka shumë shpesh dhe nëse tash jap ndonjë emër të ndonjë federate mund të jetë i gabuar", i ka thënë gazetës një burim i afërt me Ministrinë.

"Të gjitha federata sportive i raportojnë Departamentit të sportit të MKSR-së. Pra, financat janë direkt MKRS-Federatë. Federatat i kanë menaxherët e vet në DSK dhe atij i raportojnë për shpenzimet. Ka raste të shpeshta kur Ministria nuk iu qet parat për vitet e ardhshme pikërisht për shkak të dyshimeve se financat nuk kanë shkuar në adresën për çfarë edhe janë ndarë", ka thënë burimi për gazetën "Kosova Sot".

Se cili do të jetë hapi që do të marrë ministria në këtë situatë nuk dihet, por një është e sigurt, që ky institucion duhet të ndërhyje në këto Federata, pasi menaxhimet aty nuk janë të kënaqshme. Mjafton të shikosh historinë e disa prej federatave dhe sheh se ato me dekada udhëhiqen nga njerëz të njëjtë, gjë e cila vetvetiu krijon përshtypje që aty nuk ka ndonjë demokraci të theksuar.

(Kosova Sot)