Allegri e pranon se e ka refuzuar Real Madridin - Sport - Kosova Sot
Allegri e pranon se e ka refuzuar Real Madridin

Allegri e pranon se e ka refuzuar Real Madridin

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, ndihet se e ka marrë vendimin e duhur që e ka refuzuar Real Madridin.

50-vjeçari, që si futbollist ka luajtur mesfushor, ka qenë i kontaktuar nga Arsenali, si dhe nga fituesi i sivjetmë i Ligës së Kampionëve, Real Madridi, por në fund të sezonit ai vendosi që të qëndrojë në Torino.

Julen Lopetegui e pasoi Zinedine Zidanein si trajner i ri i madrilenëve dhe kjo ndodhi menjëherë pasi Allegri e ka refuzuar mundësinë për të nënshkruar me ekipin nga “Bernabeu”.

“I kam thënë jo Real Madridit sepse i kam premtuar presidentit. E kam respektin më të madh për Juventusin dhe i kam dhënë fjalën, për këtë arsye e kam refuzuar Real Madridin, klubin më të madh në botë, që është ëndërr e çdo trajneri për ta udhëhequr atë ekip. Do të isha hipokrit nëse do të thosha se nuk jam i nderuar, por besoj fuqishëm se e kam marrë vendimin e duhur”, ka thënë Allegri.

Allegri te Juventusi erdhi në vitin 2014 nga Milani, pak ditë pasi Antonio Conte dha dorëheqje. Që atëherë, Allegri e ndihmoi “Zonjën e Vjetër” të fitojë katër tituj rresht në Serie A, e sezonin e kaluar u bë menaxheri i parë në Top 5 ligat Evropiane, që e fiton katër herë rresht Ligën dhe Kupën.

 

(Kosova Sot)

13 orë e 57 minuta më parë
19/10/18