Santos: Portugalia do ta ketë të vështirë me Shqipërinë

  • 29 August 2015 - 11:34
Santos: Portugalia do ta ketë të vështirë me Shqipërinë

Trajneri i Portugalisë Fernando Santos e cilësoi ndeshjen me Shqipërinë si shumë të rëndësishme për kualifikimin në Europian. Tekniku i portugezëve, që të premten shpalosi dhe listën për dy ndeshjet e radhës me Francën dhe Shqipërinë, përpara mediave të vendit të tij u përqëndrua më shumë në sfidën e 7 shtatorit në “Elbasan Arena”.

“Do të jetë një sfidë shumë e vështirë, në një stadium të nxehtë. Shqipëria nuk ka humbur asnjë ndeshje në këto eliminatore, është mundur vetëm në një miqësore me Italinë dhe kjo tregon se janë një skuadër shumë e fortë. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm sepse i vetmi rezultat që na nevojitet është fitorja. Nëse e marrim atë, do të jemi shumë pranë kualifikimit për në Francë 2016″.

Shqipëria do të luajë me Portugalinë më 7 shtator në “Elbasan Arena”, me skuadrën e Santos që kryeson për momentin grupin me 12 pikë, 2 më shumë se kuqezinjtë, që kanë një ndeshje më pak.