Wolfsburgu nënshkruan me Draxler

  • 30 August 2015 - 17:10
Wolfsburgu nënshkruan me Draxler

Goditje e dyfishtë e Wolfsburgut në merkato. Ujqërit shtangin Juventusin duke firmosur me Julian Draxler ndërkohë që kanë arritur edhe marrëveshjen me Bayernin për kalimin në “Wolkswagen Arena” të qëndërmbrojtësit brazilian Dante. Pas shitjeve të De Bruyne te Manchester City dhe Perisic te Interi, Wolfsburgu kishte shumë para për të shpenzuar në merkato dhe me dy operacione Blic drejtuesit e nënkampionëve të Gjermanisë arritën të bënin të tyrët Draxlerin dhe Danten. Përsa i përket mesfushorit 21-vjecar të Schalkes, Wolfsburgu arriti të mposhte konkurrencën e Juventusit që ndodhej shumë pranë lojtarit madje të Shtunën u përfol për një akord mes Bluve Mbretërorë dhe bardhezinjëve për transferimin e Draxler në Torino.

Por oferta më e lartë e Ujqërve bëri që drejtuesit e Schalkes të ndryshonin mendim, duke e shitur 21-vjecarin te skuadra e drejtuar nga Dieter Hecking për 36 milionë Euro. Draxler ka kaluar me sukses edhe testet mjekësore me formacionin bardhjeshil dhe tashmë mund të konsiderohet futbollisti më i ri i Wolfsburgut. Me Ujqërit futbollisti i përfaqësues gjermane ka firmosur një kontratë 5-vjecare nga e cila do të përfitojë 5 milionë Euro në sezon.

Jo vetëm Draxler për Wolfsburgun pasi klubi gjerman ka arritur marrëveshjen me Bayernin për të bërë të mundur kalimin në “Wolkswagen Arena” të mbrojtësit Dante. Në mungesë të hapësirave në formacionin e bavarezëve, futbollisti i kombëtares braziliane zgjodhi Wolfsburgun për të vijuar karrierën duke firmosur një kontratë 3-vjecare me klubin e tij të ri. Transferimin e Dantes te formacioni i Dieter Hecking e konfirmoi edhe Shefi Ekzekutiv Karl Heinz-Rummenigge i Bayernit, i cili i uroi fat 31-vjecarit në këtë aventurë të re