Klubet e Superligës rikthehen në aksion

  • 17 October 2018 - 09:14
Klubet e Superligës rikthehen në aksion
Drenica e Trepëa'89 shokuan Flamurtarin, përkatësisht Lirinë 

Java e 10-të megjithatë duket e zbehtë pa superderbin Feronikeli - Prishtina, dy skuadra këto kryesore në luftë për titull. Prishtina ishte ajo që kërkoi nga FFK-ja ta shtyjë ndeshjen, pasi kishte disa futbollistë të grumbulluar me kombëtaren A dhe U21 

Elita e futbollit kosovar është rikthyer në aksion pas pushimit një javë për shkak të ndeshjeve të kombëtareve. Java e 10-të e Ipko Superligës, e cila nisi dje me dy ndeshje, do të përfundojë sot me dy ndeshje të tjera ku ballafaqohen Drita - Ballkani dhe Llapi - Gjilani, derisa përballjet, Feronikeli - Prishtina dhe KEK-u - Ferizaj, janë shtyrë për shkak që Prishtina e KEKu kanë pasur disa futbollistë të grumbulluar me kombëtare dhe klubet kanë bërë kërkesë në FFK t'ua shtyjë ndeshjet. Kjo edhe ka bërë që java e 10-të, megjithatë të duket pak e zbehtë pa superderbin Feroikeli - Prishtina, dy skuadra këto kryesore në luftë për titull. Gjithsesi, kjo shtyrje sipas analistëve të futbollit më shumë i ka konvenuar Prishtinës, e cila ende nuk e ka kapur formën maksimale, derisa Feronikeli ka hyrë në një seri jashtëzakonisht të mirë dhe pritej që edhe ndaj Prishtinës të ketë vazhdimësi. 

Vëmendja në Podujevë
Pa dyshim ndeshja kryesore e kësaj javë, në mungesë të takimit Feronikeli - Prishtina, do të jetë ajo në Podujevë, ku ndeshen Llapi e Gjilani. Skuadra llapjane, e cila po cilësohet si kandidate për titullin e kampionit, në fushë do të zbresë me shumë risi. Trajneri Bylbyl Sokoli nuk do të jetë në bankinë, derisa skuadrës nuk do t'i prijë më as kryetari Nexhat Dumnica që është dorëhequr nga ky post. Se çfarë ndikimi do të kenë te Llapi këto ndryshime mbetet të shihet, por e sigurt është që nuk do kalojnë pa lënë pasoja. Takimi tjetër i ditës së mërkurë që edhe e mbyllë javën e 10-të është ai në Gjilan, ku kampioni aktual Drita përballet me të rikthyerin në elitë, Ballkanin. Drita duket se e ka lënë anash krizën që e kishte kapur në këtë kampionat dhe se fitorja në ndeshjen e fundit ndaj Drenicës në udhëtim sikur i ka stabilizuar paksa kampionët. Mbetet të shihet se si do të reagojë Drita në këtë ndeshje që është shumë e rëndësishme, pasi çdo rezultat tjetër, përveç fitores, do të bënte që Drita të mendojë vetëm për mbijetesë, pasi lufta për titull do të përfundonte aty

Drenica shokon Flamurtarin, ndërsa Trepça'89 Lirinë
Dje janë zhvilluar dy ndeshje në kuadër të javës së 10-të të Superligën. Drenica i ka dhënë 'leksion' skuadrës së Flamurtarit në stadiumin "Fadil Vokrri" në kryeqytet, duke e mposhtur me rezultat 3:0. Golat për kuqezinjtë nga Skenderaj i shënuan Taulant Dajaku, Kreshnik Uka dhe Diar Mustafa. Me këtë humbje Flamurtari përfundimisht dëshmoi se nuk ka forcë për kreun e tabelës, derisa Drenica duket se është në rrugë të mirë për ta siguruar mesin e tabelës. Me rezultat të lartë ka triumfuar edhe Trepça '89. "Minatorët" në Prizren e kanë mposhtur Liria me rezultat 4:0. Martin Mircevski, Ardian Muja, Hasan Hyseni dhe Orges Gava realizuan për mitrovicasit skuadër kjo që dha shenja se e ka tejkaluar krizën që kishte në ndeshjet e fundit. Në anën tjetër për Lirinë është kjo një humbje shumë e rëndë pasi e fut në mesin e skuadrave që e rrezikojnë mbijetesën, kështu që ndeshjet e radhës skuadra prizrenase do t'i pret me shumë presion.

(Kosova Sot)