Salah dhe klauzola që e lidh me Barçën dhe Realin, për të cilën po flasin të gjithë

  • 17 October 2018 - 09:38
Salah dhe klauzola që e lidh me Barçën dhe Realin, për të cilën po flasin të gjithë

Ylli egjiptian i Liverpoolit, Mohamed Salah, dëshiron të largohet nga skuadra e Jurgen Kloppit dhe t’i bashkohet skuadrës së Ernesto Valverdes, Barcelonës, ose asaj të Julen Lopetegui, Real Madrid. Ky transferim është i mundur nëse katalonasit ose madrilenët janë të gatshëm të paguajnë 160 milionë euro për të.

Salahu arriti t’i habisë të gjithë me performancat e tij gjatë sezonit të kaluar. Egjiptiani e përfundoi sezonin e kaluar me statistika të jashtëzakonshme, ai arriti t’i shënojë 44 gola dhe i bëri 16 asiste.

Ish-sulmuesi i Romës, kandidat për “Topin e Artë”, ishte një nga lojtarët më të përfolur për një transferim të mundshëm në Real Madrid, pas largimit të Cristiano Ronaldos drejt Juventusit. Megjithatë, Kloppi, por edhe drejtuesit e Liverpoolit, e konsideronin këtë transferim si të pamundur.

Megjithatë, Salahu nuk e ka filluar këtë sezon ashtu siç kishte bërë edhe sezonin e kaluar. Përkundër mbështetjes që ka marrë nga trajneri i tij, ai ka marrë mjaft shumë kritika nga të tjerët, dhe kjo ka ndikuar që ai të kërkojë edhe më shumë largimin nga Premierliga.

Kur ishte transferuar në Liverpool gjatë afatit kalimtar të verës së vitit 2017, Liverpooli i kishte premtuar Salahut dhe agjentit të tij se ata do ta lejonin të transferohej në Barcelonë ose në Real Madrid nëse ata i paguajnë më shumë se 160 milionë euro.

Në Angli, për shkak të mungesës së klauzolave të largimit, asnjë klub nuk mund të detyrohet ta shesë yllin e skuadrës, madje as kërkesa për transferim nga një lojtar nuk e detyron klubin të ndahet nga lojtari. Pasi që Salahu e di këtë gjë, ai është i zhgënjyer me klubin, të cilët nuk duan ta mbajnë premtimin që ia kishin dhënë.

(Kosova Sot)