Kampioni i botës: Neuer mbetet ende portieri më i mirë në botë

  • 19 October 2018 - 10:46
Kampioni i botës: Neuer mbetet ende portieri më i mirë në botë

Manuel Neuer i Bayern Munich mbetet ende portieri më i mirë në botë. Këtë e thotë kolegu i tij te Tottenham dhe Franca, Hugo Lloris. 32-vjeçari nuk e ka rifituar formën e zakonshme, që kur ka ardhur nga lëndimet serioze, me një gabim të dukshëm ndaj Koresë së Jugut, në Kupën e Botës, duke nxitur eliminimin e hershëm të kombëtares gjermane nga ky kompeticion. Ai ishte gjithashtu fajtor në rastin e golit të shënuar nga Virgil van Dijk, në humbjen 3-0 të të tijve përballë Holandës, në Ligën e Kombeve.

Pas këtyre gabimeve, Neuer u përball me kritika nga legjenda e Gjermanisë, Lothar Matthaus, i cili ka propozuar që Marc-Andre ter Stegen të jetë portieri i parë në kombëtare. Low e mbrojti portierin e tij, ndërsa Lloris, fituesi i Kupës së Botës në Rusi, beson se ai është ende pikë referimi për portierët e tjerë. “Ai është vetëm më i miri për mua. Nuk kam asnjë dyshim për Manuel Neuer, ai është një portier fantastik. Manuel do ta tregojë veten përsëri në të ardhmen, – tha francezi për “Sport1”, pasi ndau fushën me Neuerin, kur Franca përmbysi Gjermaninë me rezultatin 2-1, të hënën.

 Duke gjykuar mbi gjithçka që ka dhënë për Bayern Munich dhe Gjermaninë, ky diskutim mbi formën e tij nuk është i drejtë. Nuk është e lehtë, nëse nuk keni luajtur futboll për gati një vit. Ai është ende në një nivel të lartë, si një portier i madh. Pastaj, mos harroni, si portierë jemi gjithmonë shumë të varur nga skuadra”.

 

(Kosova Sot)