“Natyrisht Messi është ndër më të mirët në histori, por kurrë s’do të luaj me të”

  • 19 October 2018 - 11:06
“Natyrisht Messi është ndër më të mirët në histori, por kurrë s’do të luaj me të”

Ylli i Real Madridit, Luka Modric, ka folur për miqësinë me Cristiano Ronaldon dhe e ka zbuluar admirimin që ka për rivalin Lionel Messin, edhe pse thotë se me të nuk do të luajë kurrë.

Modric i ka hedhur poshtë sugjerimet se e ka prishur miqësinë me Cristiano Ronaldon, duke konfirmuar se ata vazhdojnë të shkëmbejnë mesazhe edhe tani që portugezi luan larg tij, në Juventus.

Modrici është kandidati kryesor për ta fituar Topin e Artë 2018, për t’i dhënë fund dominimit 10 vjetësh të Messit dhe Ronaldos në podiumin e këtij çmimi.

Ai e fitoi Ligën e Kampionëve për herë të tretë më radhë sezonin që lamë pas dhe e mposhti Argjentinën e Lionel Messit rrugës për në finale të Kupës së Botës verës në Rusi.

“I kemi kaluar gjashtë vite të mrekullueshme në Madrid, ku zhvilluam një miqësi dhe respekt të ndërsjellë”, tha Modric për Ronaldon.

“Tani që ka ikur, ne kemi mbetur në kontakt dhe shkëmbejmë mesazhe. Edhe pse disa njerëz po tentojnë se nuk është kështu, mund të them se ne ende e ruajmë miqësinë e mirë”, shtoi ai.

Ai foli edhe për lojtarët me të cilën do të donte të luajë, duke e anashkaluar Messin.

“Luaj kundër tij, jo me të”, tha Modric.

“Natyrisht, Messi është ndër lojtarët më të mirë në histori, por kurrë nuk do të luaj me të”, theksoi ai.

 

(Kosova Sot)