Takim urgjent mes Perezit dhe Lopeteguit pas humbjes tronditëse të Realit ndaj Levantes

  • 20 October 2018 - 23:42
Takim urgjent mes Perezit dhe Lopeteguit pas humbjes tronditëse të Realit ndaj Levantes

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, është takuar me trajnerin e klubit Julen Lopeteguit pas humbjes tronditëse të madrilenëve ndaj Levantes në “Santiago Bernabeu” të shtunën.

Sipas mediave spanjolle, humbja 2-1 ndaj Levantes të shtunën – që ishte e treta në katër ndeshjet e fundit në La Liga – bën që Julen Lopetegui t’i ketë ditët e numëruara në stolin e Madridit, por sipas Cadena SER, ai pritet të ulet në stolin e Los Blancos këtë të marte për ta drejtuar skuadrën kundër Viktoria Plzen në Ligën e Kampionëve.

SER raportoi pas ndeshjes se një takim mes Perezit dhe Lopeteguit u mbajt në “Santiago Bernabeu” menjëherë pas humbjes.

Ishte takim i shkurtër prej rreth 15 minutave, dhe në të morën pjesë vetëm ata dy, dhe askush tjetër. Sipas kësaj radioje, ish-trajneri i Spanjës doli nga ky takim duke lënë përshtypjen se do të vazhdojë të jetë trajner i Real Madridit dhe në ndeshjet në vazhdim.

Para këtij takimi, Perez i kishte takuar edhe lojtarët dhe stafin teknik të Madridit.

(Kosova Sot)