Rakitic: Qëllimi ynë është të mos vërehet mungesa e Messit

  • 21 October 2018 - 13:15
Rakitic: Qëllimi ynë është të mos vërehet mungesa e Messit

Mesfushori kroat i Barcelonës, Ivan Rakitici, ka thënë se qëllimi i tyre gjatë ndeshjeve të radhës do të jetë të mos vërehet mungesa e Messit, i cili ka pësuar lëndim gjatë ndeshjes së mbrëmshme kundër Sevillas.

Ylli argjentinas u lëndua qysh në çerekun e parë të ndeshjes, pasi e kishte shënuar një gol dhe e kishte organizuar një tjetër. Ai e theu dorën e tij të djathtë dhe tani pritet të mungojë në gjashtë apo shtatë ndeshjet e radhës.

Messi do të mungojë në ndeshjet e radhës së Barcelonës, në mesjavë kundër Interit dhe në fundjavë me Real Madridin. Që të dyja këto ndeshje, katalonasit do t’i zhvillojnë në shtëpi, Camp Nou. Megjithatë, synimi i katalonasve është që në këto ndeshje të mos vërehet mungesa e argjentinasit.

“Ne do të tentojmë që ta bëjmë mungesën e Leos sa më pak të vërejtshme që është e mundur”, ka thënë Rakitici, kur u pyet për ndikimin që do ta ketë lëndimi i Messit në ndeshjet e radhës së Barcelonës.

Nuk është aspak sekret fakti që Lionel Messi është një lojtar kyç në skuadrën e Barcelonës, madje ai tani e mban edhe shiritin e kapitenit të parë. Para ndeshjes kundër Tottenhamit, që nga shtatori i vitit 2016, asnjë lojtar tjetër përveç Messit nuk ka shënuar gol si mysafir në ndeshjet e Barcelonës në Ligën e Kampionëve. Për herë të fundit, Gerard Pique kishte shënuar kundër Borussia Monchengladbach. 

 

(Kosova Sot)