NBA: Los Angeles Lakers dhe LeBron James humbin përsëri

  • 21 October 2018 - 13:19
NBA: Los Angeles Lakers dhe LeBron James humbin përsëri

NBA dukej se i kishte munguar çdo tifozi anembanë botës, për spektaklin dhe adrenalinën që përcjell. Një ndeshje fantastike ajo mes Houston Rockets dhe Los Angelos Lakers në “Staples Center”, e cila u mbyll me fitoren e Rockets 124-115.

Një sfidë ku ndodhi gjithçka, madje dhe një përleshje me grushte mes organizatorëve të dy skuadrave, Chris Paul dhe Rajon Rondo, ku u desh ndërhyrja e të gjithë pjesëtarëve të dy skuadrave për të qetësuar situatën.

Lojtari më i mirë për Houston ishte padyshim ylli i skuadrës, James Harden i cili shënoi plot 36 pikë, i ndihmuar nga Paul me 28 pikë, 10 asiste e 7 topa në tabelë.

Ndërkohë, LeBron James, i cili bëri edhe debutimin e tij në “Staples Center” si basketbollist i Lakers, shënoi 24 pikë. Deri në momentin e përleshjes, takimi ishte i mbushur me mjaft rivalitet, ku dy skuadrat tejkalonin shpesh njëra-tjetrën në avantazh.
Kur gjendja u qetësua, ishte Harden me një trepikësh vendimtar, që çoi Rockets përpara me 7 pikë avantazh, duke mbyllur praktikisht sfidën. 

Kjo ishte fitorja e parë për Rockets në këtë sezon, pas disfatës kundër New Orleans Pelicans, dhe humbja e dytë në dy ndeshje për Lakers e LeBron, që nuk e kanë nisur kampionatin në mënyrën më të mirë.

 

(Kosova Sot)