Diskriminimi i sportistëve

  • 15 November 2018 - 08:42
Diskriminimi i sportistëve

Pavarësisht pranimit në arenën ndërkombëtare, sportistët e Kosovës në shumë raste nuk janë të barabartë, pasi nuk lejohen të garojnë me flamurin e Kosovës, apo edhe fare të marrin pjesë. Kështu ndodhi edhe në boks, ku India nuk lejon pjesëmarrjen e Donjeta Sadikut në Kampionatin Botëror.

Kampionati Botëror i boksit nis sot (e enjte) në Nju Delhi të Indisë, ndërsa pjesëmarrja e ekipit të Kosovës vazhdon të bëhet lajm botëror. Qeveria e Indisë nuk është duke i dhënë vizën hyrëse boksieres Donjeta Sadiku dhe ekipit të saj, me arsyetimin se India nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe se nuk mund të lejojnë flamurin e Kosovës në Botërorin e Indisë, pavarësisht se ekipi i boksit është pajisur me pasaportën e Shqipërisë. Në zgjidhjen e problemit që ka marrë përmasa globale, janë përfshirë edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), Komiteti Olimpik i Indisë (KOI) dhe Federata e Boksit e Indisë (FBI), si organizatore e botërorit.

Problem global

"Nuk është vetëm çështje e boksit, është problem global", ka thënë Ajan Singh, president i FBI-së, në konferencën për shtyp. Komiteti Olimpik i Indisë përmes një letre të ashpër të dërguar, ka kërkuar nga Ministria e Sportit e këtij vendi t'ia japin vizën ekipit të Kosovës."Është e nevojshme që menjëherë të merren veprimet nga autoritetet indiane për t'u siguruar sportistëve dhe delegacionit nga Kosova pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror të boksit dhe të trajtohen në kushte të njëjta si çdo pjesëmarrës tjetër, pa asnjë diskriminim, në përputhje me vlerat dhe qeverisjen e Lëvizjes Olimpike në mbarë botën", thuhet ndër të tjera në letrën e presidentit të KOItë, Narinder Batra, shkruan mediet angleze. I pari i Komitetit Olimpik të Indisë, ka paralajmëruar qeverinë e këtij vendi se dështimi për t'u siguruar hyrjen ekipit të Kosovës do të raportohet në të gjitha organizatat sportive ndërkombëtare të interesuara për të organizuar ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare në Indi. Në presion qeveria indiane është vënë edhe nga mediet e ndryshme botërore.

Donjeta, e dëshpëruar

Donjeta Sadiku prej një viti është duke u përgatitur për këtë Botëror, që është gara më e rëndësishme dhe që vlen për pikë kualifikuese për Lojërat Olimpike "Tokio 2020". Për të njëjtën arsye dhe po nga shteti i Indisë, asaj nuk iu dha vizën për botërorin e juniorëve të mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar."Jam duke stërvitur vazhdimisht dhe ende nuk e kam humbur shpresën. Nëse nuk më japin vizën do të jem thellësisht e dëshpëruar, pasi është hera e dytë që më ndodh i njëjti problem", është shprehur Donjeta Sadiku. "Jam përgatitur mirë dhe nëse marrë pjesë besoj shumë në medalje. Kjo garë do të më ndihmonte për Lojërat Olimpike 'Tokio 2020'. Të humben dy kampionate të tilla është dëshpërim i madh", është shprehur boksierja më e mira në vend. Sadiku bashkë me trajnerin e saj, Besim Brahimi dhe gjyqtarin ndërkombëtar, Latif Demolli, është dashur të nisen të mërkurën në Indi, ku do të zhvillohet edhe ceremonia hapëse e garave. Edhe Federata e Boksit e Kosovës është shprehur shumë e dëshpëruar me trajtimin që po bëhet."Kampionati Botëror për femra edhe pse fillon më 15 nëntor, ekipi i Kosovës ende nuk është pajisur me viza të Indisë, që të marrë pjesë në Kampionatin Botëror me boksieren Donjeta Sadikun. Ky kampionat është edhe kualifikues për Lojërat Olimpike "Tokio 2020". Ekipi Kosovës në përbërje me boksieren Donjeta Sadiku (60 kg), trajnerin Besim Brahimi dhe gjyqtarin ndërkombëtar Latif Demolli edhe pse që 2 muaj kanë përgatitur gjithë dokumentacionin për viza dhe kanë dorëzuar në ambasadën e Indisë në Sofje të Bullgarisë, ende janë duke pritur për t'u pajisur me viza. Edhe pse Federata Indiane, Komiteti Olimpik i Indisë, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar kanë dhënë lejen dhe kanë dërguar shkresat për ekipin e Kosovës që të pajisen me viza, por pengesë është ende Ministria e Punëve të jashtme e Indisë", bëhet e ditur nga Federata. 

 

(Kosova Sot)