NBA: Golden State pëson disfatë pa yjet e skuadrës

  • 18 November 2018 - 12:50
NBA: Golden State pëson disfatë pa yjet e skuadrës

Golden State Warriors nuk ia dalin pa treshen Curry-Cousins-Green. Kampionët në fuqi të NBA u mposhtëm 112-109 në parketin e Dallas Mavericks, ku nuk u mjaftoi paraqitja e Kevin Durant me 32 pikë. Talenti slloven Luka Doncic, i cili e mbylli ndeshjen me 24 pikë, i mbështetur nga Barnes (23 pikë), rezultoi inspiruesi i suksesit për Mavericks, që pas një starti të dobët të sezonit kanë arritur të koleksionojnë 4 fitore radhazi.

Vjen triumfi i tetë sezonal për Houston Rockets, që shkatërruan 132-112 Sacramento Kinks. Edhe pas largimit të Carmelo Anthoni Rockets ruajnë serinë pozitive, me protagonist absolut James Jarden, që e mbylli takimin me 34 pikë, ndërsa Chris Paul dhe Capela shtuan respektivisht 24 dhe 23 pikë.

Oklahoma City Thunder triumfoi 110-100 ndaj Phoenix Suns, edhe pse vazhdon t’u mungojë Russell Westbrook për shkak të një dëmtimi në kavilje. Skenën e më të mirit e rrëmbeu Paul George me një “double-double”, 32 pikë dhe 11 topa të kontrolluar poshtë koshit. Për Thunder spikati edhe basketbollisti nga Zelanda e Re, Adams, me 26 pikë. Për Suns kjo ishte humbja e 12-të sezonale.

Surpriza më e madhe e mbrëmjes në NBA erdhi nga Orlando Magic, që mposhti Los Angeles Lakers 130-117, falë formës së jashtëzakonshme të malazezit Nikola Vucevic, autor i 36 pikëve dhe 13 topave poshtë koshit. Nuk duhen nënvlerësuar 22 pikët që shtoi e D.J Augustin, por edhe te Lakers nuk është se shkëlqeu LeBron James, duke u mjaftuar po me 22 pikë.

Përtej humbjes në kohën shtesë 119-122 ndaj Philadelphia 76ers, te Charlotte Hornets duhet t’u gëzohen rekordit personal të Kemba Walker, që po përjeton vërtet një periudhë të artë. Ai realizoi plot 60 pikë, më shumë se gjysmën e pikëve të ekipit të tij, por, fatkeqësisht, kjo arritje u sfumua jo pak nga trepikëshi i realizuar nga Butler në sekondat e fundit të shtesës. Në radhët e miqve për t’u vlerësuar paraqitja e treshes Embiid (33-11)-Simmons (23-11)-Redick (23), me 79 pikë në total.

Në takimet e tjera Los Angeles Clippers fituan 119-127 në parketin e Brooklyn Nets, Indiana Pacers triumfuan 97-89 ndaj Atlanta Hawks, Denver Nuggets pësuan humbjen e radhës 125-115 në parketin e New Orleans Pelicans, Boston Celtics – Utah Jazz u mbyll 86-98 dhe Chicago Bulls – Toronto Raptors 83-122. 

 

(Kosova Sot)