Nga kaosi në playoff: Rritja jashtëzakonisht e shpejtë e ekipit kombëtar të Kosovës

  • 18 November 2018 - 17:29
Nga kaosi në playoff: Rritja jashtëzakonisht e shpejtë e ekipit kombëtar të Kosovës

Pas fitores mbresëlënëse në Maltë me rezultat 5-0, Kombëtarja e Kosovës është në qendër të vëmendjes të shumë mediave, një prej të cilave është edhe media holandeze That’s Liquid Football.

“Kosova e dashuron dhe jeton për futbollin, këtë gjë mund ta ndiesh në krenarinë e qytetarëve kudo që të shkosh. Duam ta përdorim këtë cilësi dhe pasion për t’u përmirësuar, por kjo nuk do të ndodhë brenda natës”. Thirrja e Bernard Challandes për kujdes pas dy fitoreve në dy ndeshjet e tij të para si trajner i Kombëtares ishte një tentim për t’i menaxhuar pritshmëritë. Për më tepër, skuadra e tij kishte arritur ta mposhte vetëm Madagaskarin dhe Burkina Faso në ndeshje miqësore. Edhe pse këto dy skuadra mund të krahasohen me atë të këtij vendi të ri, këto dy ndeshje nuk mund t’i siguronin Kosovës sukses në ndeshjet e ardhshme.

Trajneri 67-vjeçar e ka shijuar një gjysmë shekulli i lidhur me futboll, duke kaluar nga klubet amatore të Zvicrës në klubet më profesioniste, si Zurich. Ish-trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki, kishte lënë shumë punë për të bërë pas tetë viteve në këtë pozitë. Pas dështimit në kualifikimet për Kupën e Botës, Bunjaki vendosi se kishte ardhur koha për ndryshime dhe nëse gjykojmë përmes rezultateve, atëherë largimi i tij ishte pothuajse një veprim martiri.

Aplikimi i parë i Kosovës për UEFA dhe FIFA erdhi vetëm disa muaj pas shpalljes së pavarësisë, por kërkesa e tyre u refuzua pasi që pavarësia e Kosovës nuk njihej nga disa vende anëtare.  Në maj të vitit 2016, tentimet e Kosovës për t’u bërë pjesë e këtyre shtëpive të futbollit rezultoi të jetë e suksesshme pasi që Kosova u pranua nga UEFA dhe FIFA.

Megjithatë, drama nuk përfundoi këtu. Para ndeshjet së parë me karakter garues, ndeshjen kundër Finlandës për kualifikim në Kupën e Botës, pesë lojtarë të skuadrës së Bunjakit ishin të detyruar të prisnin deri në ditën e ndeshjen për të marrë leje për të luajtur, pasi që ata më parë e kishin përfaqësuar Shqipërinë. Edhe Valon Berisha ishte detyruar të priste për aprovimin e kërkesës për të kaluar nga Norvegjia në Kosovë. Ai arriti ta shënojë golin e parë të Kosovës në një ndeshje me karakter garues.

Përderisa ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës kishin qenë një zhgënjim i madh për “Dardanët”, mes largimit të Bunjaki dhe ardhjes së Challandes, Letonia u mposht në një ndeshje miqësore, kur u shënua fitorja e parë e Kosovës që nga kur ishte bërë anëtare e FIFA-s.

Pasi i kishin fituar dy ndeshjet e para me trajnerin e ri, si dhe një ndeshje miqësore me Shqipërinë me rezultat 3-0, Dardanët hyn në Ligën e Kombeve me një ecuri prej katër fitoreve. Mundësia për të luajtur më Kombëtare të të njëjtit nivel dhe për ta siguruar një vend në Kampionatin Evropian e motivoi skuadrën e Challandes.

Duke i përdorur kontaktet e tij në Zvicër, trajneri i ri ka arritur t’i bindë shumë zviceranë me prejardhje nga Kosova që t’i bashkohen skuadrës se tij. Ai gjithashtu ka arritur t’i bindë edhe yjet në vendet e tjera të Evropës, si  portierin e Manchester Cityt, Arijanet Muricin. Përveç punës për në fushë, ai është përqendruar shumë edhe për t’ia siguruar Kosovës një të ardhme sa më të ndritur.

Gjithashtu, edhe me grupmoshat më të vogla të Kosovës, si U-17, është duke u bërë një punë mjaft e mirë, pasi që ata janë futur në rrethin elitar për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian që do të mbahet në Irlandë. Ata e kishin kryesuar grupin e tyre, duke i lënë pas Zvicrën, Skocinë dhe Kroacinë.

Barazimi pa gola në ndeshjet hapëse të Ligës së Kombeve kundër Azerbajxhanit mund ta ketë prishur ecurinë e fitoreve të Kosovës, por ai ishte një rezultat i shkëlqyeshëm kundër të vetmit ekip që kishte mundësi ta sfidonte Kosovën për vendim e parë. Ky rezultat u ndjek nga dy fitore radhazi kundër Ishujve Faroi dhe Maltës dhe Kosova e mori kreun e grupit, përkundër barazimit zhgënjyes në Maltë.

Suksesi i Challandes ka ardhur nga aftësia e tij për t’i përdorur mjetet e duhura në momentet e duhura, duke e instaluar filozofinë e tij në skuadër. Ai ka arritur një ecuri të mrekullueshme me një skuadër me moshën mesatare 23-vjeçe.

Pas fitores së mrekullueshme në Maltë, me rezultat 5-0, Kosovës i duhet një barazim ose fitore në ndeshjet kundër Azerbajxhanit në shtëpi për ta siguruar vendin e parë në Grupin 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve. Kjo pozitë do t’ia siguronte një vend në playoffs dhe Kosova do të ngrihej në Ligën C. Rritja e Dardanëve është e qartë edhe në rangimet e FIFA, ku kaluan prej vendit të 190-të në vendin e 137-të.

Nëse Dardanët arrijnë të triumfojnë në sfidën kundër Azerbajxhanit, Kosova mund të jetë duke e shkruar një nga historitë më të mrekullueshme në futboll. Ata e kanë mundësinë për të shkruar diçka që në vetvete është e jashtëzakonshme.

 

(Kosova Sot)