Cana dhe Berisha besojnë te suksesi ndaj armenëve

  • 10 October 2015 - 15:59
Cana dhe Berisha besojnë te suksesi ndaj armenëve

Tri pikë larg historisë. Një fitore e ndan përfaqësuesen shqiptare nga kualifikimi në Kampionatin Europian 2016. Pas rastit të parë të shpërdoruar, të dielën në Armeni ekipi kuqezi ka shansin e dytë që të sigurojë pjesëmarrjen direkte në evenimentin në Francë.

 “Po shkojmë (në Armeni) dhe të marrim kualifikimin. Jemi të përqendruar që të kualifikohemi prej mbrëmjes së të dielës për të evituar ndeshjet play-off”- thekson Cana për SuperSport.

Humbja në “Elbasan Arena” ishte vetëm një pengesë në rrugëtimin e jashtëzakonshëm të Kombëtares. Kapiteni beson se skuadra është bërë edhe më e fort.

“Çdo humbje ka mësimet e veta. Rezultati në Elbasan na ka bërë edhe më të fort. Tani e kemi vetë në dorë kualifikimin”.

Etrit Berisha, ashtu si edhe pjesa tjetër e skuadrës e ka të qartë se Kombëtaren e drejtuar nga Gianni De Biasi e pret takimi me historinë. Portieri kuqezi tregon se ekipi është i përqendruar te fitorja, për t’u kualifikuar në finalet e Euro 2016.

“Jemi të përqendruar te kjo ndeshje me Armeninë dhe duam ta harrojmë humbjen e fundit. Kjo është ndeshja më e rëndësishme dhe shkojmë për fitore. Sikurse çdo shqiptar edhe unë kërkoj të fitojmë”-  nënvizon Berisha për SuperSport.