Bunjaki: Kosova po ndërton një skuadër premtuese

  • 10 October 2015 - 18:57
Bunjaki: Kosova po ndërton një skuadër premtuese

Trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki thuri elozhe për djemtë e tij pas fitores së pastër 2-0 ndaj Guinesë Ekuatoriale. Në intervistën dhënë për mikrofonin e Supersport pas ndeshjes, ai veçoi paraqitjen e pjesës së parë.

“Jam i kënaqur me paraqitjen sidomos në pjesën e parë. Eshte ndoshta pjesa më e parë e mirë që kemi luajtur në të gjitha miqësoret. Kemi një vullnet dhe dëshirë të madhe për të treguar përpara tifozëve tanë atë që dimë të bëjmë”.

Në vijim ai shtoi se konkurrenca në ekip është e madhe dhe të gjithë lojtarët duhet të luftojnë për ta fituar vendin në formacion, ndërsa shtoi se do të punojë për të rritur edhe më shumë rivalitetin në çdo pozicion. Bunjaki e pranoi se ka kontakte edhe me lojtarë kosovarë që aktivizohen në kombëtaret e tjera, por nënvizoi se aktualisht nuk ka bërë oferta konkrete.

Ndërkohë, kapiteni Samir Ujkani u shpreh se ekipi është në rrugën e mbarë

“Kemi një grup fantastik dhe këtë e kemi treguar në fushë pasi kemi në përbërje shumë lojtarë të rinj. Të gjithë lojtarët kanë zhvilluar një ndeshje pozitive dhe nuk dua të veçoj askënd. Jemi duke ndërtuar grupin edhe besoj por do të vazhdojmë në këtë rrugë dhe do të presim një vendim nga institucionet ndërkombëtare për të marrë pjesë në kompeticionet zyrtare”.

Autori i dygolëshit, Mërgim Ibrahimi preferoi të përgëzonte lojën e gjithë skuadrës dhe punën e bërë nga trajneri, ndërsa sulmuesi i Skënderbeut, Bernard Berisha zbuloi emocionet e debutimit.

“Jam munduar të jap maksimumin me Kosovën. Kjo skuadër ka lojtarë me shumë vlera dhe nje ekip të talentuar. Jemi motivuar shumë dhe e kemi marrë shumë seriozisht këtë ndeshje”.