Valbuena del kundër Benzemas

  • 27 November 2015 - 12:04
Valbuena del kundër Benzemas

Matheu Valbuena thyen më në fund heshtjen në lidhje me shantazhin e marrë për një video erotike të tij, skandal që ka përfshirë edhe sulmuesin Karim Benzema.

Në një intervistë për të përditshmen franceze “Le Monde”, mesfushori i Lionit bëri një deklaratë të fortë kundër Benzemas, duke theksuar se ai një gjë të tillë nuk do ta bëntë kurrë.

“Këtë nuk do t'ia bëja as armikut tim më të keq. Fjalët e Benzemas treguan mungesë respekti. Unë i respektoj të gjithë, por kam përshtypjen se në këtë rast më morën për budalla. Nuk mund të mbroj atë që nuk mbrohet”, tha Valbuena.

Benzema është i akuzuar në Francë pasi ka qenë ndërmjetës në shantazhin e bërë ndaj Valbuenës nga 2 persona, të cilët i kërkuan një shumë të madhe parash për të mos publikuar videon erotike të tij. Valbuena nuk e la me kaq, por vijoi akuzat për Benzemanë: “Mënyra se si i bëri gjërat Benzemaja tregoi se ai dëshiroi që të unë të takohesha me dikë. Në mënyrë indirekte më këshillohej që të paguaja këtë person për të më kthyer videon. Karim Benzema e dinte shumë mirë se nëse unë takohesha me këtë përson, siç më propozonte, kjo nuk do të ishte për një bisedë normale. Nuk jam aq naiv sa të besoj se dikush është gati të shkatërrojë një video falas”.

Valbuena më pas në intervistën e tij theksoi Benzema e siguroi se shantazhistët ishin kriminelë të pamëshirshëm dhe se videoja ishte e tillë që mund t'i hapte probleme me familjen. 

Një deklaratë e tillë e Valbuenës ia bën akoma më të vështira gjërat Benzemas, i cili këmbëngul në qëndrimin e tij se synimi i tij ishte vetëm të ndihmonte shokun e tij të skuadrës te përfaqësuesja franceze.