Skandaloze: Feronikeli çon ‘peshë’ Gjeorgjinë, Federata e këtij vendi merr vendim skandaloz

  • 06 February 2016 - 23:58
Skandaloze: Feronikeli çon ‘peshë’ Gjeorgjinë, Federata e këtij vendi merr vendim skandaloz

Feronikeli është bërë lajm i ditës në mediat gjeorgjiane. Jo pse mposhti skuadrën e këtij vendi, FC Zugdidi 2:1, por për shkak se ky klub ka pranuar të luajë me një skuadër nga Kosova.

Mediat gjeorgjiane kanë akuzuar drejtuesit e këtij klubi që kanë luajtur me një klub nga vendi të cilin Gjeorgjia nuk e njeh, duke e quajtur këtë skandal.

“Skandal: Zugdidi luan miqësore me skuadrën kosovare”, shkruan “sportall.ge”.

Titulli i mediumit tjetër ‘vz.ru’ është: “Lojtarët gjeorgjian do të dënohen për ndeshjen me klubin e Kosovës”. Sipas tyre, Federata në pajtim me UEFA-n e FIFA-n do të dënojë klubin në fjalë.

Reagimi i Federatës së Gjeorgjisë

Duke parë shkrimet e mediave gjeorgjiane, Federata e Gjeorgjisë, ka dalë me një komunikatë për shtyp të publikuar në sajtin e tyre zyrtar.

“Bazuar në raportimet e mediave Federata e Futbollit e Gjeorgjisë (FGJF), shpjegon se të gjitha klubet e Superligës kanë oblim të pajtohen me FFGJ-në për ndeshjet miqësore që i luajnë. Për shkak të shkeljes së këtij detyrimi, Federata është e obliguar të veprojë në bazë të rregullave të UEFA dhe FIFA-s, për t’u angazhuar të mbrojtë të drejtat e çdo subjekti”, shkruan në njoftimin e Federatës së këtij vendi.

Zugdidi kërkon falje

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Zugdidit, të cilët kanë lëshuar një komunikatë në sajtin zyrtar të tyre.

“Organizatorët e zhvillimit të takimit nuk i kanë kushtuar vëmendje çështjeve politike, në mënyrë të veçantë faktit se Republika e Kosovës nuk është e njohur nga Ministria e vendit, pasi ne vepruam vetëm mbi parimin e sportit. Republika e Kosovës është e njohur nga vendet kryesore partnere si SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, dhe vendet tjera të Bashkimit Evropian, një total prej më shumë se 100 vende”, thuhet në reagimin e Zugdidit, ku në fund përmendet fjala keqardhje, raporton GazetaOlle.com..

Si pasojë e kësaj buje, Federata e Futbollit të Gjeorgjisë e cila menjëherë ka kërcënuar me dënim skuadrën tjetër gjeorgjiane, FC Merani Martvili, me të cilën është dashur të ndeshen nesër kampionët tanë. Për këtë arsye ndeshja është anuluar.

Feronikeli po qëndron në Antalia të Turqisë, për të kryer një fazë përgatitore.

(Kosova Sot)