Mourinho te “Djajtë e Kuq”

  • 11 February 2016 - 09:28
Mourinho te “Djajtë e Kuq”

Mungon vetëm zyrtarizimi

Gjatë këtyre dy muajve pa punë strategu portugez ka udhëtuar në disa shtete për pushime apo për disa aktivitete të tjera, por pa ndryshuar bazën e tij që është Londra, ku vazhdon të jetojë bashkë me familjen e tij

Jose Mourinho do të jetë trajneri i ardhshëm i Manchester United-it. Kjo është ajo që është publikuar të mërkurën tek të përditshmet britanike “Daily Mail” dhe “Daily Mirror”, sipas të cilave trajneri portugez ka arritur marrëveshjen me drejtuesit e “Djajve të Kuq” për të marrë drejtimin e skuadrës edicionin e ardhshëm dhe tashmë pritet vetëm zyrtarizimi, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Me çdo kusht në krye të United-it

Sipas këtyre dy të përditshmeve, bisedimet mes palëve kishin nisur javën e kaluar, por marrëveshja përfundimtare është arritur vetëm në orët e fundit. Por, jo vetëm kaq, mësohet se vetë Mourinho u kishte thënë miqve të tij më të ngushtë se po bënte gjithçka për të marrë vendin e Louis van Gaal-it në pankinën e “Djajve të Kuq”.  Mourinho, i cili u pa edhe në “Olympiastadion” për të ndjekur ndeshjen mes Herta Berlin-it dhe Borussia Dortmund-it, u shkarkua nga Chelsea në 17 dhjetorin e vitit 2015, 3 ditë pas humbjes nga Leicester City. Gjatë këtyre dy muajve ai ka udhëtuar në disa shtete për pushime apo për disa aktivitete të tjera, por pa ndryshuar bazën e tij që është Londra, ku vazhdon të jetojë bashkë me familjen e tij. Me ardhjen e Mourinho-s në pankinën e United-it, derbi me rivalët e City-t do të ndizet edhe më shumë, pasi portugezi do të ketë përballë tij një njohje të vjetër, Pep Guardiola-n, me të cilin ai është ballafaquar shumë herë gjatë aventurës së tij në Spanjë, kur ata drejtonin Real Madrid-in dhe Barcelona-n.

(Kosova Sot)