“Rio 2016” nuk rrezikohet nga mushkonja Zika

  • 11 February 2016 - 09:36
“Rio 2016” nuk rrezikohet nga mushkonja Zika

Ministria e Shëndetit në Brazil i përgjigjet alarmit të lëshuar nga Komiteti Olimpik Amerikan, që prej rrezikut të mushkonjës Zika e la në dorën e atletëve vendimin rreth pjesëmarrjes apo jo në Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Sipas qeverisë braziliane, “periudha gjatë së cilës do të zhvillohet Olimpiada nuk cilësohet endemike për transmetimin e sëmundjeve të shkaktuara nga mushkonja Zika”, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Sipas deklaratës për shtyp të Ministrisë, Brazili është mobilizuar në luftën kundër insektit. Qeveria federale, shtetet, por edhe komunat, po punojnë jo vetëm për të mbrojtur popullsinë vendase, por edhe të gjithë turistët që do të udhëtojnë drejt Amerikës Latine për të ndjekur Lojërat Olimpike. Optimizmi nuk mungon as në Këshillin Organizativ të “Rio 2016”.

Sipas zëdhënësit Mario Andrada, Zika nuk do të përbëjë problem. Sipas tij, delegacioni i skuadrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të jetë i plotë, pasi askush nuk do të heqë dorë nga Olimpiada për shkak të një sëmundjeje që përhapet kryesisht gjatë verës.

Përveç ekipit amerikan, mushkonja Zika përbën një shqetësim edhe për ekipin e Kenias. Komiteti Olimpik i shtetit afrikan të martën ka njoftuar se për shkak të këtij kërcënimi, pjesëmarrja e skuadrës në “Rio 2016” është në dyshim serioz. Nëse situata nuk përmirësohet, Kenia mund të vendosë tërheqjen nga Lojërat Olimpike. 

(Kosova Sot)