Zidane: Ronaldo më i mirë se Messi

  • 11 February 2016 - 16:32
Zidane: Ronaldo më i mirë se Messi

 

Zinedine Zidane ka filluar prej pak kohësh aventurën si trajner i Realit të Madridit. Francezi zbulon emocionet që ndien, ndryshimin e madh në administrimin e ndeshjes, por edhe dëshirën për t’u futur në fushë. Ai shprehet se Ronaldo është më i mirë se Mesi, por rivaliteti mes tyre i ka bërë mirë futbollit

 

Mendoni se Lionel Messi është më i miri në botë?

 

Më i miri është Cristiano Ronaldo. Për Cristianon thuhen shumë gjëra, por brenda zemrës së tij, është një njeri i shkëlqyer. Mesi është rivali i tij dhe ky rivalitet i bën mirë futbollit. Është ajo çka njerëzit duan të shikojnë.

 

Si e morët vendimin për të qenë trajner?

 

Asnjëherë nuk kam menduar se një ditë do bëhesha trajner. Kur i dhashë fund karrierës sime si futbollist, mendova vetëm që të qëndroj më shumë kohë me familjen… Mua më pëlqen të jem në fushë, pasi është ajo që di të bëj më mirë. Pjesën tjetër, nuk e di se si ndodhi…

 

Keni dëshirë për t’u futur në fushë dhe të luani?

 

Po, kam shumë. Më ndodh edhe gjatë ndeshjeve që drejtoj Realin. Është diçka normale, pasi nuk kam shumë kohë që jam larguar. Gjithsesi, presioni i trajnerit është krejt ndryshe. Edhe roli që ke në fatin e një sfide. Janë lojtarët që vendosin për ty në fushë dhe jo ti për ekipin.

 

I kuptoni më mirë tani trajnerët që keni pasur gjatë karrierës?

 

Të them të drejtën, tani po i kuptoj si duhet. Tani jam unë ai që duhet të ndihem në tension dhe të mendoj gjithçka. Një lojtar mendon vetëm për veten e tij, ndërsa trajneri për të gjithë futbollistët.

 

Si i përgatisni ndeshjet?

 

Më e rëndësishmja është që t’u transmetosh lojtarëve mesazhin që dëshiron. Unë i kërkoj vetëm dy apo tri gjëra, pasi kam në dispozicion futbollistë profesionistë. Grupi është i shkëlqyer dhe jam i kënaqur me ta. Më pëlqen se çfarë janë duke bërë.

 

Jeni të detyruar për të fituar çdo ndeshje?

 

Në futboll, ajo që ka më tepër rëndësi është fitorja. Ne i përgatisim ndeshjet sipas radhës, vetëm për të marrë maksimumin. Kur je pjesë e një klubi të madh si Reali i Madridit, pa diskutim që është detyrim fitorja. Ne po punojmë mirë në aspektin fizik. Sa u përket cilësive, nuk kam asnjë dyshim te lojtarët, ndaj edhe nuk jam i shqetësuar për vazhdimësinë tonë.

 

Sa rëndësi ka përgatitja psikologjike për një ekip?

 

Ka 80-90% rëndësi në ecurinë e një klubi. Nëse futbollistët janë të përqendruar, atëherë mund të japin maksimumin e tyre. Kur njerëzit më thonë që kam qenë futbollist i mirë, i shkëlqyer dhe që kam bërë para, unë u jap një përgjigje: “Përqendrohu, sepse brenda 10 vitesh karriera jote përfundon”. Të luash te Reali i Madridit është një ëndërr, ne kemi fat që jemi këtu. Në fakt, të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë fakt.

 

Për rezultatet negative, duhet të jetë patjetër trajneri përgjegjës?

 

Po. Trajneri është gjithnjë fajtori për humbjen. Ai merr përgjegjësitë kur drejton një skuadër, me të mirat dhe këqijat.

 

A ka Zidane autoritetin e duhur para futbollistëve?

 

Unë ua kam transmetuar idetë e mia dhe ata nuk kanë nevojë që t’ua kujtoj shpesh. Që në fillim ua kam bërë të qartë detyrat që kanë. Sigurisht që në stërvitje bëjmë përgatitje specifike, apo për kundërshtarin e radhës. Por, filozofia kryesore e Zidanit si trajner është: “Kur nuk ka topin në zotërim, çdo futbollist duhet të mendojë vetëm për të ndihmuar ekipin në fazën mbrojtëse. Të gjithë duhet të mbrojnë nëse kundërshtari ka topin”. Ky është koncepti im. Dhe mënyra më e mirë për t’u mbrojtur është që ta mbash topin në zotërim sa më gjatë.

 

 

(Kosova Sot)